NË SHKODËR
Mandzukic hesht entuziazmin e Kosovës
6 October, 2016 @22:07
Edhe pse ishte lojtari që nuk ishte në formë të mirë, Mario Mandzukic ka shënuar tri herë sonte në 45 minutat e para në portën e Samir Ujkanit, për t’ia shuar shpresat Kosovës në duelin e dytë kualifikues për “Rusia 2018”.
Mandzo, ka shënuar falë fuqisë dhe gjatësisë së tij, që ka qenë i pakapshëm për mbrojtjen kosovare, me dyshen Avni Pepa dhe Alban Pnishi në qendër, të cilëve i mungonte koordinimi.
Kosova pati rastet e veta dhe atë shumë të mira në pjesë të parë. Dy herë depërtoi Milot Rashica, për të rrezikuar, por mbrojtja kroate tregohej e vëmendshme. Ndërsa Bersant Celina e Arbër Zeneli kanë dështuar të shënojnë nga pozita vetë me portier. I pari shutoi drejt portierit, i dyti tentoi parabolimin e Danijel Subasicit, por topi përfundoi mbi rrjetë.
Në pjesën e dytë loja tashmë dukej e relaksuar. Kroatët luanin për qejfi, ndërsa Ante Cacic i rehatuar me sigurimin e karriges së trajnerit edhe për disa ndeshje, fuste në lojë lojtarë të papërvojë për Kroacinë, duke i larguar më meritorët në sulm e mbrojtje.
Kosova në pjesën e dytë tentoi të bënte diçka më shumë, por koordinimi i lojtarëve në disa faza të sulmit shihej se nuk ishte pjekur ende.
Goli i katërt i kroatëve, ishte përsëri në gabim në mbrojtje, pasi që krahu Fanol Përdedaj nuk e përcolli deri në fund zëvendësuesin Matej Mitrovic, që gozhdoi portën e Ujkanit nga afërsia i vetmuar. I pesti me Perisicin e vetmuar, e i gjashti, projektil.
Pas dy ndeshjeve kualifikuese në Grupin I, Kosova mbetet në një pikë të fituar ndaj Finlandës në ndeshjen e shkuar, ndërsa Kroacia ngritet në 4 pikë dhe merr lidershipin e grupit për shkak të golaverazhit më të mirë se fituesit tjerë në grup sonte.