DINAMO NË PRIZREN
Zyrtarët e Dinamos arrijnë në Prizren
23 April, 2016 @14:36
Ashtu siç u paralajmërua dje nga faqja zyrtare e klubit të Lirisë, dje (të premtën) në orët e vona kanë arritur në Prizren zyrtarët e NK Dinamo. Marijan Vlak, drejtor i Shkollës së Futbollit NK DInamo dhe trajnerët Ivan Kepcija e Ugo Klinak.
Të shoqëruar nga kryetari Mirsad Çollaku, ata ndoqën disa ndeshje të grupmoshave të reja në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ dhe gjithashtu ata përcollën edhe një pjesë të stërvitjes së ekipit të parë. I pranishëm ishte edhe Uliks Emra, ish-futbollisti i Lirisë, aktualisht zëvendës-ambasador i Kosovës në Kroaci.
“Jemi këtu për të krijuar bashkëpunim ndërmejt shkollave respektive, Dinamos e Lirisë si dhe shkëmbimin e përvojave. Do të japim gjithë atë që mundemi nga ana jonë dhe e falendërojmë Lirinë për mikpritjen.” - ka thënë në adresimin e parë pas arritjes në Prizren, Marijan Vlak, drejtor i Shkollës së Dinamos.
“Besoj që përvoja që sjellin trajnerët e njohur kroat, sidomos me grupmoshat e reja dhe vendosja e bashkëpunimit ndërmjet nesh do të sjellë një kualitet të ri në punën tonë dhe futbollin e Kosovës. Dinamo është skuadër e madhe dhe jemi të lumtur për këtë vizitë.” - u shpreh Mirsad Çollaku, kryetar i Lirisë.
Trajnerët kroat do të kenë një stërvitje të përbashkët me gjithë grupmoshat si dhe do të mbajnë një ligjëratë për trajnerët e Shkollës së Futbollit “Liria”.
Ndërkaq, para ndeshjes me Prishtinën, të dielën do të nënshkruhet edhe marrëveshja në mes të dy klubeve për bashkëpunim.