PRISHTINA - TREPÇA'89

Mba në krye të golashënuesve, Prishtina shpëton me Useinin
2 November, 2022 @20:03
Epërsia e hershme e Prishtinës me Genc Hamitin, që u asistua nga Leotrim Kryeziu paralajmëroi një ndeshje interesante dhe i solli gëzim publikut për edhe një fitore të radhës, për ekipin e tyre në formë.
Mirëpo, kështu nuk mendoi sulmuesi nigerian i Trepçës’89, Christian Mba, i cili pasi që barazoi me super gol 9 minuta para fundit të pjesës së parë, shënoi për avantazhin e mitrovicasve në fillim të pjesës së dytë. Bile, atij iu anulua edhe një gol për shkak të pozitës jashtë loje.
Ka qenë mesfushori i ardhur nga Gjilani, Muhamed Useini, që ka barazuar për Prishtinën 15 minuta para fundit të ndeshjes për të përcaktuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes, Prishtina 2-2 Trepça’89 [Genc Hamiti 5, Muhamed Useini 75 — Christian Mba 36, 47].
Derisa Trepça’89 e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka dalë nga zona e rënies me këtë pikë të fituar, ndërsa ishin shumë afër fitores. Në anën tjetër, Prishtinës i është ndalur seria prej tre fitoreve radhazi me këtë barazim.
Pas ndeshjes, trajneri i Trepçës’89 Shpëtim Idrizi ka thënë se ekipi i tij i humbi ndaj Prishtinës dy pikë, ndërsa Ismet Munishi i Prishtinë ka deklaruar se skuadra e tij nuk ishte në nivel të duhur sonte.
Me golat e tij Christian Mba ka kaluar në krye të listës së golashënuesve të Superligës, me 10 gola të shënuara.