ISTOGU - VËLLAZNIMI
Me 5 mungesa i prishin punë Vëllaznimit
15 May, 2019 @22:43
Skuadra e Istogut ka shënuar fitore 2-1 ndaj Vëllaznimit në Demush Mavraj për t’i ikur përfundimisht rrezikut për barazh në Ligë të Parë të Kosovës.
Ekipi i Istogut ka qenë me mungesa sot, që e bën fitoren edhe më të rëndësishme për skuadrën. Golashënuesi i dalluar i ekipit, Qëndrim Jahaj, pastaj Adnan Maxharraj, Dardan Bajraktari, Fatmir Rexhaj - të lënduar si dhe Erjon Qeta (i suspenduar nga kartonët e verdhë) kanë qenë mungesa në ekipin e troftave, që nuk i ka penguar ata të mposhtin gjakovarët.
Vëllaznimit në anën tjetër fitorja i duhej si ujë, pasi që me fitore do të mbanin gjallë shpresat për të shkuar direkt në Superligë! Por kjo nuk ndodhi.
Istogu arriti epërsinë me golin e Qëndrim Krasniqit (31’) 1-0, që pranoi top të mirë nga Alban Dreshaj dhe duke kaluar portierin e Vëllaznimit Altik Muhaxhiri çon ekipin e tij përpara.
TABELA AKTUALE E LIGËS SË PARË
Në pjesë të dytë ka qenë portieri Endi Gega, që me degazhim të gjatë gjen Florent Rexhën. Ky i fundit kalon dy mbrojtës të Vëllaznimit në zonë dhe me lehtësi tund rrjetën kundërshtare për 2-0 (62’).
Golashënuesi i golit të parë, Kransiqi, merr karton të kuq (dy të verdha) në minutën e 65 të ndeshjes, e edhe me 10 lojtarë Istogu i bëri ballë Vëllaznimit deri në fund të ndeshjes.
E tëra që arritën mysafirët ishte goli i nderit i shënuar nga Lekë Vula, që shfrytëzon tollovinë në zonë të Istogut duke shënuar për 2-1 (86’).
Me këtë fitore Istogu është pozicionuar në vend të shtatë të klasifikimit me 38 pikë, ndërsa Vëllaznimi mbetet i katërti në klasifikim me 54 pikë.
Me këtë humbje, Vëllaznimi ka humbur gjasat teorike për të kaluar në Superligë direkt, dhe tashmë është në pritje të kundërshtarit të barazhit, që do të kuptohet të dielën.