NGA KONFERENCA PËR SHTYP E KUQEZINJËVE
Me Valon Ahmedin, Shqipëria ka fituar 10-shen që i mungonte
29 August, 2017 @15:55
Kombëtarja shqiptare duket se ka fituar një 10-she klasike që i mungonte qe sa në reprezentacion.
Valon Ahmedi, i linur në Ohër, por i rritur në Kërçovë, që me krenari thotë “jam kërçovar” është prurja më e re e kuqezinjëve, ndërsa edhe trajneri Christian Panucci ka lëvduar aftësitë e tija futbollistike.
Mesfushori 22 vjeçar që po kalon tashmë stinorin e tretë te Maribori në Slloveni, nga kjo vjeshtë është pjesë e fazës grupore të Ligës së Kampionëve, pasi që ekipi i tij eliminoi izraelitët e Hapoel Be’er Shevas.
“E njoh Liridon Latifin, pastaj Eros Grezdën, kryesisht prej kombëtares U21. Kjo është gjëja më e bukur që më ka ndodhur aktualisht dhe do të pres rastin tim,” ka thënë Ahmedi në konferencën e sotme për shtyp të kuqezinjëve.
Bile, Ahmedi ka treguar se si shokët e kanë shtyer atë që të shkojë të luaj për Maqedoninë pasi që aty nuk ka konkurrencë dhe do të zinte vend në 11-shen e parë.
“Nuk kam pranuar të luaj për Maqedoninë. Kam bërë zgjidhje me zemër, jam krenar. Shpresoj të ndihmoj kombëtaren shqiptare edhe në fushë,” ka thënë kërçovari i ri i komëbtares, që ka thënë se tash ka mbetur si shqiptar i vetëm nga Maqedonia në kombëtare.
Panucci e ka cilësuar si fantazist klasik Ahmedin. Ëndrra e djaloshit 22 vjeçar u bë realitet, ndërsa në përballjet ndaj Lihtenshtajnit dhe Maqedonisë pritet që tekniku i ri italian i kombëtares, t’ia jep rastin atij, së paku si zëvendësues.