Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PASQYRA E KOSOVËS NË LIGËN "C" TË KOMBEVE

Megjithatë, paraqitje më e suksesshme se në edicionin e parë të Ligës C të Kombeve!

Fotot: FFK

Megjithatë, paraqitje më e suksesshme se në edicionin e parë të Ligës C të Kombeve!


29 September, 2022 @14:19

Përkundër humbjes zhgënjyese nga Irlanda Veriore së fundmi, por edhe ato nga Greqia dy herë, Kosova ka pasur paraqitje më të mirë në edicionin e dytë të kaluar në Ligën C të Kombeve sesa herën e parë aty.

Greqia me 4 fitore në qershor (2 nga të cilat ndaj Kosovës) nuk la dilema për fituesin e grupit dhe për biletë për PlayOff të EUROs së ardhshme.

Kosova

Ndërsa Kosova u koncentrua të kapë vendin e dytë në grup, e rrezikoi atë me humbjen ndaj veriirlandezëve, por gjithsesi me lojë bindëse ndaj Qipros - u bë e dyta përfundimisht në grup.

Kështu, Dardanët do të jenë pjesë e Ligës C të Kombeve edhe për një edicion të kësaj gare të re për shtete të krijuar nga UEFA.

 

Kujtojmë, Kosova kishte nisur garën në Ligën D të Kombeve në edicionin debutues të saj, ndërsa në Ligën C 2020/21 përfundoi e treta në grup, duke regjistruar vetëm një fitore ndaj Moldavisë, derisa kreu grupin me 5 pikë të fituara nga 6 ndeshje, ku Sllovenia kishte fituar grupin, ndërsa e dyta kishte dalë Greqia.

Vedat Muriqi

Në edicionin 2020/21 Kosova kreu grupin me vetëm 4 gola të shënuara karshi 6 të pësuarave, derisa golat e Kosovës ishin shënuar ndaj Moldavisë (Benjamin Kololli) si mysafire, ndaj Greqisë si vendas (Bernard Berisha), ndaj Sllovenisë si mysafire (Vedat Muriqi) dhe Lirim Kastrati në fitore ndaj Molldavisë në ndeshjen që na siguroi mbijetesën!

Kosova xi

Edicioni i posapërfunduar për Kosovën në Ligën e Kombeve me trajnerin Alain Giresse, gjithsesi ishte më efikas për Kosovën, si nga aspekti i pikëve ashtu edhe nga ai i golave. Këtu ka rëndësi edhe fati nga shorti, që nga ekipet e rëndësishme të grupit na solli vetëm Greqinë, derisa qipriotët dhe veriirlandezët vetëm mund të befasonin.

Donat Rrudhani

Francezi Giresse erdhi në krye të Kosovës në mars të këtij viti, pas disa muajve të reprezentacionit pa përzgjedhës të zyrtarizuar, ku Bernard Challandes kishte dhënë dorëheqje pas mbylljes së kualifikimeve për Botërorin e Katarit, ku Kosova ishte në grup të vështirë ndaj Suedisë, Spanjës, Greqisë e Gjeorgjisë.

 

Liga C e Kombeve 2022/23 për Kosovën u krye me 9 pikë të fituara, ku Dardanët fituan 3 ndeshje (2 herë Qipron dhe 1 herë Irlandën Veriore) ndërsa shënuan 11 herë karshi 8 golave të pranuara, duke e përmirësuar bilancin e goldallimit vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Qipros!

Edon Zhegrova & Amir Rrahmani

Valon Berisha, Edon Zhegrova, Vedat Muriqi 5, Zymer Bytyqi, Florent Muslija, Donat Rrudhani dhe Elbasan Rashani shënuan 11 golat e Dardanëve në këtë kampanjë - derisa Greqia mbeti enigmë e pazgjidhur edhe në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, ku humbëm pa shënuar asnjëherë në portë të tyre, 0-1 në Prishtinë dhe 0-2 në Volos.

Me këto gola të shënuara, Kosova ka përfunduar grupin me më së shumti gola të shënuara në portat kundërshtare. Por që brengosës është numri i të pranuarave, derisa nuk kanë pranuar gol vetëm në ndeshjen e parë të grupit ndaj Qipros të zhvilluar më 2 qershor atje.

 

Kombëtarja e Kosovës tash pret shortin për EURO 2024 që mbahet në Gjermani dhe ndeshjet kualifikuese do të luhen përgjatë vitit 2023.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve