MEDIA
Mick McCarthy i kënaqur me paraqitjet e Celinës
7 September, 2017 @23:55
Trajneri i ekipit të Ipswich Townit, Mick McCarthy, është shprehur të jetë i lumtur me lojën e treguar të reprezentuesit të Kosovës, Bersant Celina.
“Ai është këtu qe 12 javë dhe ka qenë i sëmurë në 7 prej tyre. Por, ai ka luajtur mirë në ndeshjet e ekipit U23 dhe duket shumë i mprehtë,” ka thënë McCarthy për twtd.co.uk.
Celina 20 vjeç është në Ipswich si huazim nga Manchester City dhe deri më tani ka pasur paraqitje në Carabao Cup ndaj Lutonit dhe në Championship ka debutuar si zëvendësues ndaj Fulhamit.
“Ai sigurisht që ka cilësi. Ka shënuar gol edhe më të bukur në stërvitje sesa atë që e keni parë me U23-shat,” ka shtuar trajneri i ekipit, duke lavdëruar reprezentuesin e Kosovës, që për shkak të sëmundjes mungoi edhe në duelet e Kosovës në javën që e lamë pas.
Përndryshe, McCarthy 58 vjeç, është njëri ndër trajnerët shumë të respektuar në ishull. Ai ka punuar 4 vite si trajner i Milwallit, pastaj 6 vjet ka qenë përzgjedhës i reprezentacionit të Irlandës, 3 të tjera te Sunderlandi dhe 6 të tjera te Wolves, para se në vitin 2012 të merr drejtimin e Ipswichit.