VAZHDOJMË ME DE BIASIN

Misioni i De Biasit: Franca 2016
24 October, 2013 @15:42
Strategu italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi edhe zyrtarisht sot ka nënshkruar kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit për vazhdimin e detyrës së tij edhe për nje edicion kualifikues.
Tashmë, misioni i Shqipërisë pritet të jetë madhorja, kualifikimi në KE Franca 2016. Së paku kështu ka thënë kreu i FSHF-së, Armando Duka, para gazetarëve sot.
Më tej, De Biasi ka kërkuar bashkëpunim nga të gjithë lidhur me suksesin e ardhshëm të kombëtares, duke përfshirë këtu edhe mediat.
“Unë i mbaj në mend edhe fjalët tuaja të mira deri në qershor ndaj meje, pastaj edhe kritikat kur filluan humbjet. Kërkoj që të jemi sa më objektivë në vlerësimin e gjërave sepse kështu krijojmë mjedisin e qetë dhe të duhur për kombëtaren,” ka thënë mes tjerash De Biasi në konferencë për shtyp.
Ai ka thënë se misioni për Francë nuk është i pamundur, ndërsa sa i përket lojtarëve ka thënë se pak a shumë do të jetë i njejti, pasi që tashmë është krijuar baza e ekipit edhe pse mund të ketë ndonjë ndërrim të vogël.
“Kemi në portë Berishën e Ujkanin. Mbrojtjen e kemi stabile me katërshen Lila, Mavraj, Cana dhe Agolli. Në mesfushë kemi fituar dy futbollistë të talentuar si Kaçe dhe Abrashi. Vlen të përmendet i jashtëzakonshmi Rama, që është element cilësor,” ka treguar më tej De Biasi pak a shumë themelin e ekipit kombëtar për KE Franca 2016.
Shqipëria përfundoi e pesta në Grupin E kualifikues të Eurozonës, duke mos arritur të gjejë vend në barazh për të cilin u rritën shpresat mjaft gjatë qershorit, derisa shtatori e tetori ishin katastrofal për kombëtaren që e çuan poshtë.
De Biasi ka zhvilluar 17 ndeshje me kombëtaren prej se e morri detyrën e përzgjedhësit dhe ka regjistruar 7 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje gjatë ndeshjeve zyrtare dhe miqësore.