MAVRAJ

Mërgim Mavraj (majtë) duke ndalur në një duel Robert Lewandowskin/REUTERS
Mohon Lazion
8 June, 2013 @17:34
Qendërmbrojtësi i Greuter Furth dhe i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka mohuar të jetë në dijeni për një transferim të tij në Lazio, siç po përflitet këto ditë.
Mavraj 26 vjeçar që po shkëlqen në kombëtaren shqiptare dhe është i pazëvendësueshëm te skuadra e tij, Greuter Furth, është përfolur si transferim i sigurtë në Lazio, por ai për Sport Ekspresin shqiptar ka mohuar për një gjë të tillë.
“Nuk di asgjë. Nuk kam folur me asnjë drejtues të Lazios dhe as me Igli Taren. Kur të kthehem në Gjermani do të qartësohet çdo gjë, pasi që as ata nuk kanë marrë asnjë ofertë për mua,” është cituar të ketë thënë Mërgim Mavraj për gazetën në fjalë.
Portali italian Calciomercato ka shkruar se Lazio do të paguajë dy deri në tre milionë euro ekipin gjerman që sivjet ra në Bundesliga 2, për të instaluar mbrojtjen shqiptare në skuadër, Cana-Mavraj.
Ish sulmuesi i kombëtares shqiptare, Igli Tare, është drejtor sportiv i skuadrës së kryeqytetit italian dhe është njeriu që po insiston më së shumti në ardhjen e Mavrajt te biancocelestët.