RASHICA

Mund të shënojë akoma më shumë
19 December, 2015 @11:01
Emri i Milot Rashicës nuk po ndalet së përmenduri në futbollin holandez. I riu 19 vjeçar i transferuar nga Vushtrria drejtë e në Vitesse, dje ka shkëlqyer duke shënuar dy gola në fitoren 5-1 të skuadrës së tij ndaj Twentes.
Rashica, në intervistën e tij dhënë faqes zyrtare të Vitesses, tha se ndjehet i lumtur për sukseset e arritura deri më tani.
“Ishte një fitore e rëndësishme, pikërisht para pushimit dimëror. Ishte një ndeshje e shkëlqyer. Ne i shënuam pesë gola dhe kjo ishte e mirë. Jam i kënaqur gjithashtu që i shënova dy gola dhe kjo më jep më shumë motivim,” tha Rashica
Futbollisti vushtrrias me dy golat e shënuara mbrëmë, është bërë golashënuesi më i mirë në skuadër, derisa ai premton se ka ende për të treguar në fushë.
“Nuk kam pritur që do të jetë kaq i mirë ky vit. Por unë jam duke punuar shumë dhe jam i kënaqur që gjithçka është duke shkuar mirë. Menoj se kam ende për të treguar. Mund të shënojë ende dhe ta ndihmojë skuadrën akoma më shumë,” përfundoi ai.
Miloti deri më tani ka të shënuara 6 gola me Vitessen në kampionatin holandez.