DRITA - HAJVALIA
Munishi kërkon dy trofetë me Hajvalinë
19 February, 2016 @16:38
Dy ditë para ndeshjes së parë të pjesës pranverore të stinorit për Hajvalinë, trajneri i kësaj skuadre, Ismet Munishi, ka dhënë deklaratë interesante për faqen zyrtare të klubit, duke u treguar i bindur që Hajvalia do ta përfundojë stinorin me trofe.
“Jemi shumë më të fortë se vitin e kaluar, kjo është e sigurtë. Dua ta potencoj që sivjet do të luftojmë për dy trofetë. Sa i përket përgatitjeve në Shqipëri, ne kemi arritur qëllimin tonë. Edhe pse kur u kthyem në Prishtinë nuk patëm fushë edhe aq të përshtatshme për të vazhduar përgatitjet”.
Trajneri kontravers gjithashtu u ndal edhe për ndeshjen kundër Dritës, që do të zhvillohet të dielën në kuadër të Kupës së Kosovës.
“Drita ka bërë shumë ndryshime, nuk e njoh shumë mirë si është tash. Janë larguar shumë lojtarë, ka ardhur trajner i ri, megjithatë unë jam më i koncentruar në ekipin tim. Sa i përket futbollistëve brazilian, ju njoftoj se jam i kënaqur me ta dhe Serginho pritet të jetë në formacionin bazë ndërsa Mateus do të jetë në pankinë,” tha Munishi.
Ndeshja Drita - Hajvalia do të luhet në Gjilan dhe do të fillojë nga ora 13:30.