Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TOTTENHAM - LIVERPOOL

Ndeshje fantastike në Londër, pikët ndahen

Foto: Premier League

Ndeshje fantastike në Londër, pikët ndahen


19 December, 2021 @19:30

Një ndeshje fantastike u luajt sot në Londër mes Tottenhamit dhe Liverpoolit! Që të dyja skuadrat treguan paraqitje fantastike, e në fund ndeshja u mbyll 2-2.

Pjesa e parë ishte prej pjesëve më të mira që i kemi parë në këtë sezon të Premier Leagues. Të dyja skuadrat patën shumë raste për shënim, por që të dyja shënuan vetëm nga një herë.

Harry Kane shënoi për Spurs në minutën e 13’, e për Liverpoolin shënoi me kokë Diogo Jota në minutën e 35’. Para se Jota të barazonte, Tottenhami e shpërdoroi një mundësi të artë para portës së Liverpoolit. Dele Alli e shpërdoroi një mundësi tejet të mirë i vetëm përballë portierit Alisson, e kjo iu “hakmor” në anën tjetër londinezëve, me Liverpoolin që barazoi në 1-1.

Për Harry Kanen ky ishte vetëm goli i dytë sezonal në Premier League, ndërkohë që sot ai ishte me fat që nuk u përjashtua në pjesën e parë pas një ndërhyrjeje tejet të ashpër që e shkaktoi ndaj Andy Robertsonit të Liverpoolit. Për fatin e tij të mirë, Kane u ndëshkua vetëm me të verdhë.

Edhe pjesa e dytë ishte tejet e mirë! Kjo pjesë filloi me dy raste të shpërdoruara çuditshëm nga Harry Kane, e më pas ishte Liverpooli ai që shënoi i pari. Topin në rrjetë e çoi Andy Robertson me kokë (70’) për epërsinë 1-2 të Liverpoolit. Por, Spurs nuk u dorëzuan. Falë një gabimi të Alisson, koreano-jugori Son shënoi për 2-2 (74’), e ndeshja u rihap përsëri.

Tre minuta më vonë ndeshja u bë edhe më interesante. Me ndihmën e VAR, Andy Robertson i Liverpoolit u ndëshkua me karton të kuq, për ta lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë.

Kjo i dha “zemër” Tottenhamit që ta kërkonte fitoren, por më gola nuk pati dhe ndeshja u mbyll me barazim.

Ky barazim bën që Liverpooli të jetë 3 pikë larg Cityt lider momentalisht, kurse Spurs momentalisht janë në vendin e shtatë, por kanë ndeshje më pak të luajtura se kundërshtarët përreth.

 


 
Të gjitha lajmet nga Premier League