TURPËRIM PARA "FADIL VOKRRIT" TË PLOTË
Ndeshje jashtëzakonisht zhgënjyese! Andorra merr pikë historie në Kosovë
28 March, 2023 @22:44
Kosova është befasuar në shtëpi sonte, derisa Andorra që konsiderohet autsajder i grupit, ka nxjerrë barazim 1-1 në përballjen e zhvilluar sonte në Fadil Vokrri. Përkundër posedimit të madh të topit në përqindje, Kosova nuk ka arritur të krijojë raste konkrete për shënim, ndërsa atë që duhet duartrokitur janë kombëtarja e Andorrës, të cilët me mbrojtjen e mençur, falë edhe shterpësisë së Dardanëve kanë arritur të marrin pikë historike.
Përgjatë thuajse gjithë ndeshjes Dardanët tentonin me krosime për të gjetur golin, ndërsa në pjesë të dytë me hyrjen e Edon Zhegrovës përmes një kundërsulmi ky shënoi për epërsinë e Kosovës.
Mirëpo, kur mendohej se tash Kosova do të merr krahë për të shënuar edhe ndonjë gol, ka qenë një gjuajtje e lirë dhe një gabim amatoresk i Arijanet Muricit që nuk kërceu te topi në zonën e tij, për t’i dhënë mundësi Albert Rosasit të barazojë në 1-1 (61’), dy minuta pasi që kishte shënuar futbollisti i Lille!
Përsëri tentime të stilit të njëjtë, ndërsa zëvendësimet e Alain Giresse nuk ndezën aspak - e në fund festë te mysafirët e drejtuar nga Koldo Alvarez që morrën pikë historike në Prishtinë. Në mbi 60 ndeshje që ka zhvilluar Andorra në kualifikime për EURO, ka arritur të marrë në total 4 pikë deri sot. Një fitore ndaj Molldavisë dhe një barazim ndaj Shqipërisë. Kjo ka qenë pika e pestë në histori të kombëtares andorriane.
Në fund, me Kosova 1-1 Andorra [Edon Zhegrova 59 - Albert Rosas 61] Dardanët nga dy ndeshjet e para të kualifikimeve për EURO2024 kanë marrë 2 pikë dhe janë të tretit në renditje tabelare.