PËR 3 ORË!
Biletat për Shqipëria-Çekia shiten brenda natës - rekordi i ri i FSHF!
16 September, 2023 @11:33
Sistemi i biletarisë online nuk duroi shumë, por kërkesa e madhe veproi gjithsesi dhe me vetëm tre orë në përgjithësi, janë shitur të gjitha biletat për datën e 12 tetorit, ku Shqipëria pret Çekinë në “Air Albania”.
Për më tepër, për herë të parë në histori të “Air Albania” ka ndodhur që dy ndeshje radhazi të bëhen “sold out”. Kjo, pasi që biletat e nxjerra në shitje ndaj Polonisë në qershor, u shitën të gjitha para ndeshjes. E tashmë, ndaj Çekisë pritej një fluks i jashtëzakonshëm “online” i personave që të pajiseshin me një biletë, gjë që edhe ndodhi.
Ishte rreth orës 21:00 kur FSHF mbrëmë doli me njoftimin “tashmë mund të bëni tuajat biletat”. E kush ka pasur fatin të jetë i kyqur dhe në pritje online, ai ka siguruar biletat për ndeshjen që pritet të jetë vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë drejt EURO 2024.
Tre orë më vonë, vetëm se filluan postimet e personave të ndryshëm në rrjete sociale me “sold out” ndërsa FSHF ka arkëtuar mjaftueshëm për 22 mijë e 500 kuqezinjë të radhës në publik.
TABELA AKTUALE, ORARI dhe REZULTATET
Çmimet e biletave nuk i vërtetuam ende, por thuhet të ketë qenë bërë edhe ngritja e tretë e çmimit brenda një cikli kualifikues. Kujtojmë, gjatë ndeshjeve të qershorit bileta më e lirë në “Air Albania” ka kushtuar 700 lekë, në shtator më e lira kushtonte 2000 lekë, ndërsa tash thuhet që të ketë arritur çmimin për tetor, 3000 lekë.