LIRIA-GJILANI
Në duelin e kartonave vendos penalltia
15 October, 2016 @15:57
11 kartona të verdhë dhe 2 të kuq janë shpërndarë nga referi kryesor i ndeshjes Liria-Gjilani, Tefik Maloku.
Ndërsa fituesin e duelit që u përshkua me tensionime të lojtarëve në fushë e vendosi një penallti në pjesë të dytë të takimit.
Ka qenë Visar Berisha i Lirisë që qëlloi portën e mysafirëve nga pika e bardhë, për t’ia siguruar tre pikë bardhezinjëve nga Prizreni në këtë duel që doli të jetë më i nxehtë sesa që u mendua në fillim.
Gjilani ndeshjen e përfundoi me 2 lojtarë më pak në fushë. Leutrim Bekteshi e mori kartonin e parë të kuq, pas shkaktimit të penalltisë në minutën e 72-të të takimit (e verdha e dytë). E njejtë, dy të verdha në fund të ndeshjes i mori edhe Ylber Kastrati, kapiteni i gjilanasve.
Gjilani në ndërkohë ka regjistruar humbjen e dytë me radhë, ndërsa Liria iu kthye fitores pas disfatës si mysafir në xhiron e shkuar.