NË DRENAS!
Xhengis Rexhepi pranon kërkesën e kryetarit!
28 December, 2023 @17:15
Iu kërkua ndarja dhe e pranoi. Kështu, shkurt mund të shpjegohet arsyeja e dhënë nga trajneri i deritashëm i Feronikelit’74 Xhengis Rexhepi.
Feronikeli’74 ka ndarë rrugët me trajnerin Xhengis Rexhepi, që arriti mjaft pikë duke parë se si e mori skuadrën këtë stinor në Superligë.
“I dashur opinion, dua të ju njoftoj se prej sot nuk jam më pjesë e klubit të Feronikelit 74’.
Në takimin e sotëm me kryetarin e klubit, m’u kërkua që ta mbyllim bashkëpunimin, unë këtë e pranova pa hamendje.
Për mua, më e rëndësishme është se klubi pas përfundimit të gjysmësezonit vjeshtor, është në mesin e tabelës dhe shumë më afër skuadrave që garojnë për dalje në Evropë, se sa ato që janë në luftë për ekzistencë!
Ekipit të Feronikeli 74’ i dëshiroj shumë suksese në vazhdim të kampionatit.” - ka shkruar Rexhepi në njoftimin e botuar në llogarinë e tij personale të Facebookut.
Feronikeli’74 në anën tjetër ka mbledhur 21 pikë në 18 ndeshje dhe ka përfunduar vjeshtën në pozitë të shtatë të Superligës. Ashtu siç edhe e kishte cekur trajneri tetovar, që në stinorin e kaluar kishte shpier Lirinë në Superligë, ekipi nga Drenasi është më afër garave evropiane se rënies nga liga aktualisht.
Mbetet të shihet se kush do të merr detyrën e kryetrajnerit të Feronikelit’74 tash e tuje, ndërsa për trajnerin tetovar deri tash nuk ka pasur asnjë ankesë për mënyrën e drejtimin të skuadrës dhe pikët e mbledhura janë shumë më shumë sesa që është pritur nga “nikli” në vjeshtë.