NDERIM NEXHIPI
Nexhipi premton shumë gëzime për “Intelektualët”
31 January, 2017 @23:37
Mesfushori shkupjan, Nderim Nexhipi, i cili së fundi është transferuar nga Korabi i Kategorisë Superiore shqiptare te Drita e Gjilanit, ka premtuar shumë gëzime për tifozët e këtij klubi në pjesën e mbetur të stinorit.
“Kam pasur dëshirë të madhe që nga fëmijëria që një ditë të luaj në vendin ku babai im është legjendë. E falenderoj kryesinë e klubit të Dritës dhe kryetarin e saj Valon Murseli që ma dha mundësinë të realizojë këtë gjë. Ju premtoj që me bashkëlojtaërt e mi do t’i gëzojmë ‘Intelektualët’ shumë këtë sezonë,” ka shkruar në një postim në Instagram, mesfushori kreativ me përvojë të madhe ndërkombëtare.
Nexhipi 32 vjeç ka bërë karrierë në Belgjikë, Azerbejxhan, Rumani, IRJ Maqedoni dhe Shqipëri së fundi, ndërsa që tash thuhet që është lojtari më i paguar ndonjëherë në Superligë të Kosovës.
Babai i Nderimit, Mensur Nexhipi, ka qenë lojtar i Prishtinës në kohën kur bardhekaltërit nga kryeqyteti i Kosovës kanë qenë pjesë e elitës së futbollit të atëhershëm jugosllav.
Drita nuk ka kaluar mirë në pjesën vjeshtore të stinorit në Superligë. Ekipi bardhekaltër nga Gjilani ka shënuar vetëm 3 fitore nga 17 ndeshjet e zhvilluara dhe gjendet në zonën e rrezikshme të Superligës.
“Intelektualët” kanë nisur stinorin me trajnerin Sadat Pajaziti që i çoi në finale të Kupës së Kosovës vjet. Pas tij ata angazhuan boshnjakun Amir Alagic, por as ky nuk mbijetoi gjatë. Me ardhjen e Ismet Munishit kryetrajner, ekipi gjilanas filloi të jep shenja këndelljeje dhe tashmë pritet të shpëtojë nga rënia dhe të jetë kandidat për Kupë të Kosovës, trofe ky që siguron një vend në gara europiane.
Drita gjatë mini-afatit kalimtar të janarit ka shtuar në skuadër këta futbollistë: Betim Halimi, Armend Kastrati, Gëzim Gashi, Qëndrim Sejdiu (të gjithë nga Hajvalia); Përparim Livoreka (Feronikeli), Dren Gashi (Gjilani), Alban Shillova (Liria), Denis Haliti (2 Korriku) dhe Nderim Nexhipi (Korabi).