ASTRIT FAZLIU
BOROZANI/Erdis Driza/Arkiv
Nga Ferizaji te Shkëndija
14 December, 2013 @15:21
Astrit Fazliu, sulmuesi i Ferizajit të hënën mund të bëhet lojtari më i ri i Shkëndisë së Tetovës edhe zyrtarisht. Fazliu i cili i prin listës së golashënuesve në Superligën e Kosovës në futboll, golat e të cilit kanë mundësuar që Ferizaji të përfundojë në vendin e dytë të Superligës në fund të stinorit vjeshtor, pritet që pranverën ta kalojë në Maqedoni.
Sipas vetë lojtarit dhe zyrtarit të Shkëndisë, të gjitha bisedimet janë kryer por zyrtarisht gjithçka pritet të përfundojë të hënën e ardhshme pasi që të bien edhe njëherë për detaje në ujdi të dyja palët.
Ferizaji stinorin e kaluar ka qenë pjesë e Ligës së Parë të Kosovës dhe me trajnerin e mirënjohur Bylbyl Sokoli në krye ata janë ngritur në Superligë, ku menjëherë kanë treguar fuqinë duke përfunduar në vendin e dytë.
Natyrisht se largimi i Fazliut, që më parë ka qenë edhe lojtar i Prishtinës do të jetë hendikep për Ferizajin ën pjesën e dytë të stinorit, por përafrimi i tij me arenën ndërkombëtare me Shkëndinë është më i madh dhe lojtari ka pranuar të ndërrojë skuadër.
Shkëndija përndryshe, gjendet në vendin e tetë të kampionatit maqedonas të futbollit me 23 pikë të tubuara, derisa lideri i ligës elite të Maqedonisë është Turnovo me 34 pikë, sa kanë edhe Vardari e Pelisteri pasues.