ADNAN JANUZAJ

Përjetë në Manchester United
14 December, 2013 @10:29
Djaloshi me prind kosovarë i lindur në Bruksel, Adnan Januzaj, ka dalë në ekip të Manchester Unitedit këtë stinor dhe në disa raste është treguar shpëtues i David Moyesit, në muajt e para të tij në Old Trafford.
Januzaj 18 vjeçar veçse ka marrë kontratë të re në Manchester, për 5 vitet e ardhshme - derisa këtë javë ka debutuar edhe në Ligë të Kampionëve në ndeshje ndaj Shakhtarit.
“Qëllimi im ka qenë të nënshkruaj me Manchester Unitedin. Kjo ka qenë zgjedhja ime e parë dhe kam nënshkruar. Jam i lumtur këtu. Nëse do të mund të luaja tërë jetën në Manchester United, do ta bëja këtë për klubin,” ka thënë Januzaj në një interevistë për kanalin televiziv zyrtar të Manchester Unitedit.
I lindur në Belgjikë, me prind kosovarë, Januzaj përveç përjetësisë në Manchester United, ka mbetur të përcaktohet edhe për njërën nga kombëtaret për të cilat ka mundësi të luaj.
“Pozita ime më e mirë në fushë është numri 10, prapa sulmuesve. Gjithmonë kam luajtur në atë pozitë si i ri. Por kudo që të luaj unë do të jap më të mirën. Kjo është puna ime. Edhe mbrojtës i majtë mund të më provoni,” ka thënë Januzaj duke shprehur besnikërinë për klubin.
Manchester United luan nesër me Aston Villën në Premier League.