FERONIKELI - TREPÇA '89
Nikli mposhtë ‘89-shin, i rikthehet fitoreve
29 February, 2020 @14:58
Të drejtuar nga Faruk Elshani pas largimit të trajnerit
Agim Sopi
, Feronikli në takimin e sot arriti të shënojë fitore ndaj Trepçës ‘89, për t’iu rikthyer kështu fitoreve pas dy xhirove.
Gjërat për mitrovicasit i komplikoi futbollisti Lassine Traore, i cili në minutën e 26’ të ndeshjes u ndëshkua me karton të kuq, për ta lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushë. E këtë e shfrytëzoi maksimalisht skuadra nga Drenasi, e cila i shpeshtoi sulmet dhe arriti ta gjejë golin plot 3 herë.
Ishte Mendurim Hoti ai që në minutën e 50’ të takimit shënoi për 1-0, derisa fare në fund Mevlan Zeka (90+2’) e Albert Dabiqaj (90+4’) shënuan nga një herë për ta mbyllur kështu këtë ndeshje me rezultatin përfundimtar 3-0.
Kjo fitore e ngrit Niklin në kuotën e 31 pikëve, kurse Trepça ‘89 rrezikon që të afrohet me skuadrat që po luftojnë për mbijetesë.