DIHET PREJ NGA VJEN SELEKTORI I RI
Një gjerman në krye të Kosovës
22 January, 2024 @10:46
Kosova shpejt pritet të ketë përzgjedhësin e ri të emëruar në krye të kombëtares së futbollit. Dhe kjo pritet të ndodh para datës 8 shkurt kur është shorti për edicionin 2024/25 të Ligës së Kombeve.
Kështu ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një bisedë me “Kanal 10”. Ademi që ishte në finalen e Superkupës së Kosovës ku luajtën Ballkani dhe Prishtina, ndërsa këta të fundit çuan trofeun në fund, ka bërë të ditur se kanë mbetur tre selektorë në listën finale të FFK-së.
Sa i përket konfirmimit, atij së paku i është kërkuar të bëhet e ditur shtetësia e përzgjedhësit. E Ademi e ka thënë shkurt.
“Po, ai është gjerman,” - kanë qenë fjalët e tij duke shtuar se ai do të jetë prezent në shortin e Ligës së Kombeve 2024/25 që mbahet më 8 shkurt në Paris të Francës, me fillim prej orës 18:00.
Kujtojmë, Kosova bën pjesë në Ligën C të Kombeve. Por, kësaj radhe duhet të dalë e para në cilindo grup të saj që bie, ashtu që të shpresojë për Botërorin e radhës përmes playoffit, pasi që rruga direkte kualifikuese për Kampionatin Botëror është shumë më e vështirë sesa për në Kampionat Evropian.
Prej se Kosova u bë pjesë e UEFA-së dhe FIFA-së, atë e kanë drejtuar fillimisht Albert Bunjaki, pastaj Bernard Challandes dhe së fundi Alain Giresse që u zëvendësua përkohësisht nga Primoz Gliha deri në fund të kualifikimeve. Ky i fundit njëjtë kishte drejtuar Kosovës edhe në periudhën tranzitore pas largimit të Challandes, deri në emërimin e Giresse.