FINALJA E SUPERKUPËS SË KOSOVËS
Prishtina fiton Superkupën, duke mposhtur Ballkanin
20 January, 2024 @13:05
Prishtina e drejtuar nga Emmanuel Egbo ka fituar trofeun e parë të vitit 2024, ndërsa trajneri nigerian i bardhekaltërve ka fituar trofeun e parë me ekipin e tij prej se mori detyrën.
Prishtina ka mposhtur Ballkanin 1-2 [Krenar Dulaj 79’ - Egzon Sinani 9’, Leotrim Kryeziu 46’] në finale të Superkupës të luajtur në Antalya të Turqisë, ndërsa golat e hershëm në secilën pjesë mjaftuan për të duruar 30 minutat e fundit të dominuara nga Ballkani, që s’arriti më shumë sesa të shënojë golin përfundmitar.
Minutat e rëndësishme të ndeshjes dhe golat
Ndeshja ka qenë e dominuar fillimisht nga Prishtina që prej minutës së parë dukej më kërkuese. Bardhekaltërit shpejt edhe gjetën golin, kur pas një korneri topi erdhi para Egzon Sinanit, që shutoi saktë për të gjetur këndin e majtë të poshtëm të Enea Koliçit për 1-0 (9’).
Rastet vazhduan për Prishtinën. Drilon Islami dy herë provoi nga distanca (23’ dhe 32’), për të shkuar ekipet në pushim me epërsi minimale të Prishtinës. Por, ajo që nuk pritej nga kampioni i Kosovës ishte goli i menjëhershëm i Prishtinës me të filluar pjesa e dytë.
Ka qenë Kreshnik Uka, që asistoi përsëri. Pas asistimit të bërë për Sinanin në pjesë të parë, ai gjeti Leotrim Kryeziun në nismë të pjesës së dytë, për të shënuar ky i fundit me kokë nga afërsia për 2-0 (46’).
Ballkani reagoi pas 15 minutash, kur Ilir Daja filloi me zëvendësim të trefishtë (Trashi, Limaj e Dellova hynë në lojë - 62’) ndërsa prej minutës së 74’ futi edhe Diwara dhe Dulajn. Goli erdhi me të riun e shkollës Krenar Dulaj (79’). Ky u asistua nga Armend Thaqi. Ballkani dominoi plotësisht ndeshjen prej minutës së 70’ e tutje.
Rastet erdhën me Diawaran (80’), më pas Armend Thaqi krosoi rrezikshëm (90’), Qëndrim Zyba për pak centimetra mbi portë (90’+5) - por goli s’erdhi dhe portokallezinjtë dolën humbës nga finalja e Superkupës.
Rekordi i Prishtinës
Prishtina fitoi trofeun e 11. të Superkupës së Kosovës në histori, ndërsa në total tashmë numri i trofeve të tyre ngritet në 30. Përndryshe ky ka qenë trofeu i parë i Superkupës për Prishtinën që prej stinorit 2019/20.