1/8
Nuk mjafton super Shaqiri, Polonia në çerekfinale
25 June, 2016 @17:46
Edhe përkundër paraqitjes dhe golit fenomenal të Xherdan Shaqirit, Zvicra nuk arriti të kualifikohet për në çerekfinale të EURO2016, me Poloninë që u kualifikua pas goditjes së penalltive.
Në fakt ndeshja ishte me dy fytyra, me Poloninë që dominoi në 45 minutat e para e me pjesën e dytë dhe kohën shtesë që i takuan plotësisht helvetikëve. 120 minutat u mbyllën me rezultat 1-1, ndërsa në goditjet e 11 metërshave gaboi vetëm Granit Xhaka, duke bërë kështu që Polonia të kualifikohet në fazën çerekfinale.
Momenti më i bukur i ndeshjes ishte padyshim goli i Xherdan Shaqirit me gërshërë, gol i cili do të kujtohet gjatë në historinë e kampionateve evropiane, por fatkeqsisht i pamjaftueshëm për triumfin helvetik.
Në çerekfinale, Polonia do të takohet me fituesin e takimit mes Kroacisë e Portugalisë, takim i cili zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00.