DRENICA - HAJVALIA

Pa befasi, Drenica deklason Hajvalinë
6 May, 2017 @17:51
Ashtu siç edhe pritej, skuadra e Drenicës ka shënuar fitore në takimin e luajtur në shtëpi ndaj skuadrës së Hajvalisë, skuadër kjo që tashmë dihet që vitin tjetër do ta luaj në Ligën e Parë.
Përkundër dominimit total të vendasve, të cilët rrezikuan disa herë përmes Kreshnik Lushtakut dhe Taulant Dajakut, përfshirë këtu edhe një shtyllë, pjesa e parë u mbyll pa gola.
Gjithsesi, ndeshja mori kahjen që pritej me të filluar pjesa e dytë. Dy gola ‘ekspres’ të Taulant Dajakut e Granit Arifajt në minutat 46’ e 47’ i dhanë rehatinë në vazhdim të takimit vendasve, e më pas pjesa e mbetur e takimit u zhvillua ‘veç sa për adet’.
Në minutën e 75’ të takimit, Hysen Tahiri shënoi për 3-0, mirëpo goli ishte shënuar me dorë dhe gjyqtari kryesor i takimit e anuloi. Megjithatë skuadra nga Skenderaj shënoi edhe 2 herë. Për 3-0 u përkujdes Kreshnik Lushtaku pas asistimit të Hysen Tahirit, ndërsa fare në fund shënoi edhe Granit Arifaj dhe ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 4-0, rezultat i cili e mban Drenicën bindshëm larg zonës së rrezikshme.