NUK KA KUSH I SHËNON BESËS NË PEJË
Pa pësuar përsëri, Besa fiton
22 November, 2015 @14:59
Besa po vazhdon formën e shkëlqyeshme në katër xhirot e fundit në Superligë. Ekipi pejan ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e katërt me radhë në Superligë, duke barazuar këtë rekord të stinorit me Ferronikelin, ndërsa është ngritur edhe në vend të tretë të tabelës pasi që Hajvalia-Trepça’89 u shtye.
Besa ka dominuar gjatë gjithë ndeshjes dhe fituesi nuk do të vihej asnjëherë në pyetje gjatë ndeshjes, derisa dilema e vetme ishte se kur do të shënohet goli.
Pas disa mundësive të Kastriot Rexhës që u ndalën nga kapiteni i Dritës në portë, Artan Latifi, ka qenë Albert Dabiqaj që ka shënuar me kokë pas harkimit të Fetim Kasapit për 1-0 në pjesë të parë.
E njejta vazhdoi edhe në pjesë të dytë, derisa Besa shënoi përsëri, e kësaj radhe në listën e realizatorëve u regjistrua Shpëtim Zharra për t’i dhënë fund gjithçkaje në këtë përballje.