SHKARKOHET DHE MERR KREJT RROGAT!
Pas Polonisë e Gjermanisë, edhe Turqia shkarkon përzgjedhësin
18 September, 2023 @11:48
Polonia që u mposht nga Shqipëria dhe largoi përzgjedhësin Fernando Santos, nuk është e vetmja që do të kërkojë trajner të ri për ndeshjet e tetorit. Japonia që mposhti Gjermaninë në miqësore dhe çoi në shkarkimin e Hansi Flickut nga panzerët, së fundi ka bërë që edhe përzgjedhësi gjerman i Turqisë Stefan Kuntz të mbetet “pa punë”.
Federata e Futbollit të Turqisë (TFF) ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me Kuntzin, pas barazimit me Armeninë në kualifikime drejt EURO 2024 dhe humbjes nga Japonia në miqësore. Përzgjedhësi gjerman ka pranuar largimin, ndërsa TFF do t’i paguajë atij të gjitha rrogat si i ka pas të parapara deri në fund të kontratës (qershor 2024) që kapin shifrën e 1.2 milionë eurove.
Kuntz drejtoi Turqinë në 20 ndeshje. Gjermani 60-vjeç regjistroi 12 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje në proces. Turqia gjithashtu, me barazimin ndaj Armenisë ka humbur vendin e parë në Grupin D kualifikues për EURO 2024, pasi që pas 5 ndeshjeve ka 10 pikë, sa ka Kroacia lidere por me 4 ndeshje të luajtura.