LEGJENDA E SHKËNDIJËS I JEP FUND KARRIERËS AKTIVE

Foto: kfshkendija.com
Pensionohet Ardian Cuculi
Teksti: kfshkendija.com
3 July, 2023 @15:35
Një prej futbollistëve me më shumë paraqitje në fanellën kuqezi, kërçovari Ardian Cuculi tërhiqet nga futbolli i luajtur pikërisht me fanellën e klubit të zemrës. KF Shkëndija e falenderon Cuculin për gjithçka që dha për kuqezinjtë.
Në moshën 35 vjeçare, vendos ti jep fund karrierës si futbollist aktiv, mbrojtësi kërçovarë, Ardian Cuculi. Gati një dekadë pjesë e Shkëndijës në katër periudha të ndryshme, një kohë kapiten i ekipit, një prej futbollistëve me më shumë paraqitje në fanellën kuqezi, fitues i 5 trofeve me Shkëndijën (2 tituj kampion, 2 Kupa dhe 1 Super Kupë), Ardian Cuculi do të mbetet gjithmonë në historinë e klubit si autori i golit të parë të Shkëndijës në Kupat e Evropës (kundër Portadown nga Irlanda e Veriut në humbjen 2:1 më 10.07.2012).
Cuculi pasi luajti në Shqipëri dhe së fundmi në Kosovë, verën e shkuar e kishte vendosur të luajë vetëm edhe një sezon, duke mos fshehur dëshirën e madhe që karrierën ta mbyllë aty ku kaloi çastet më të mira gjatë gati një dekade. Shkëndija i hapi derën e rikthimit, duke i mundësuar të mbyllë karrierën pikërisht aty ku ja donte zemra. Kështu, Ardian Cuculi tashmë ka luajtur ndeshjen e tij të fundit zyrtare në karrierë, duke mbyllur përfundimisht futbollin e luajtur.◼️