Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MALISHEVA - PRISHTINA

Për të dytën herë këtë sezon, Prishtina ndalet në “Liman Gegaj”

Foto: FC Malisheva

Për të dytën herë këtë sezon, Prishtina ndalet në “Liman Gegaj”


13 February, 2022 @15:01

Në “Liman Gegaj” të Malishevës, sot mes vete u përballen Malisheva dhe Prishtina.

Fituese e këtij takimi doli skuadra e Malishevës, e cila përballjen ndaj kryeqytetasve e mbylli me fitore 2-1 (Mërgim Pefqeli 75´, Ilir Mustafa 90+4’ / Besnik Krasniqi 90+6’ (P)).

Pas pjesës së parë që u mbyll pa gola, pjesa e dytë e ndeshjes dhuroi plot 3.

Goli i epërsisë fillestare për vendasit u shënua nga Mërgim Pefqeli, ish-futbollisti i Prishtinës, që ish-skuadrën e tij e dënoi me gol të shënuar në minutën e 75’ të ndeshjes.

Më pas, krejt në fund ndeshja dhuroi edhe dy gola të tjerë. I inkuadruar nga banka rezervë, Ilir Mustafa, shënoi për 2-0 në minutën e 90+4’, e krejt në fund Prishtina e ngushtoi rezultatin në 2-1 (90+6’) falë penalltisë së ekzekutuar saktë nga Besnik Krasniqi, por për barazim eventual ishte vonë dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Malishevës.

TABELA AKTUALE

Vlen të përmendet që Prishtina gjatë ndeshjes e zëvendësoi portierin Betim Halimi, i cili me gjasë pësoi një lëndim dhe më pas u zëvendësua me të filluar pjesa e dytë nga Eglant Haxho.

Kujtojmë që kjo është hera e dytë që Malisheva e ndalë Prishtinën sezon. Në ndeshjen hapëse të sezonit, Malisheva dhe Prishtina barazonin 1-1 në po të njëjtin stadium.

Me Malishevën që sot mori tri pikë shumë të rëndësishme, Prishtina në anën tjetër ndodhet larg pozitave të para në renditje, por që mbetet ende në lojë për një triumf të mundshëm në Kupën e Kosovës.

Xhiron e ardhshme, Malisheva i shkon Ulpianës, kurse Prishtina e pret Ballkanin.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga