MALISHEVA - PRISHTINA
Malisheva dorëzohet në fund, Bekteshi shpëton kampionin
22 August, 2021 @18:55
Një debutim mjaft i mirë për Malishevën në elitën e futbollit kosovar!
Në ndeshjen debutuese në Superligë, Malisheva ishte shumë pranë fitores ndaj kampiones në fuqi të Kosovës, Prishtinës, por për fat të keq të malishevasve, mysafirët me përvojë e gjetën barazimin krejt në fund të ndeshjes.
Takimi i zhvilluar sot në “Liman Gegaj” të Malishevës përfundoi 1-1 (Hasan Hyseni 13’ / Leotrim Bekteshi 90+3’), rezultat i cili i detyron skuadrat t’i ndajnë pikët.
Golin historik të Malishevës në Superligë e shënoi Hasan Hyseni në minutën e 13’, gol i cili erdhi pas një gabimi të Kristi Vangjelit në mbrojtjen mysafire.
Edhe pse goli erdhi shumë herët, Malisheva e menaxhoi mjaft mirë pjesën e mbetur të ndeshjes, deri krejt në fund të ndeshjes, kur Leotrim Bekteshi i mysafirëve shënoi me kokë pas një krosimi të ardhur nga ndërprerja dhe kështu ia siguroi një pikë skuadrës së tij.
Xhiron e ardhshme, Malisheva i shkon Ulpianës, kurse Prishtina e pret Ballkanin në kryeqytet.