GJILAN
Përforcimet ia sjellin Dritës fitoren ndaj Trepçës’89 favorite
27 February, 2015 @15:02
Skuadra gjilanase, Drita, ka nisur në mënyrën më të mirë stinorin pranveror.
Ata kanë mposhtur favoritin Trepça’89 në Gjilan sot për të nisur pjesën e dytë të stinorit me fitore.
Ndeshja është përshkruar nga një goleadë, derisa në fund Drita shënoi fitoren për tre pikët e para në pjesën e dytë të stinorit.
Armend Kastrati shënoi për nismë të mirë të Dritës, derisa ditën e keqe për mitrovicasit, e bëri sefte Ibrahim Peci, që dështoi të shënojë nga penalltia 6 minuta pas golit.
Gjilanasit nuk falën këtë gabim të xehetarëve dhe përmes Alban Shillovës kaluan në epërsi dygolëshe, për të shkuar në pushim të qetë.
Berat Hyseni, me nismë të pjesës së dytë tregoi se Trepça’89 do të luftojë deri në fund, duke shënuar për 2-1, mirëpo Mensur Limani i bardhekaltërve shënoi shpejtë për 3-1, për fund të qetë të gjilanasve, të cilët pësuan edhe njëherë nga Taulant Haliti për të mbyllur ndeshjen me fitore.
Për më tepër, ajo që është me rëndësi të theksohet, është se gjilanasit kanë shënuar golat përmes përforcimeve të ardhura në klub, që kanë treguar se janë të qëlluar që në ndeshjen e parë të tyre.
Me këtë fitore, Drita ngjitet në pozitën e tetë duke arritur kuotën e 20 pikëve, derisa Trepça’89 tashmë rrezikon pozitën e katërt, para ndeshjeve tjera që do të zhvillohen në këtë xhiro.