DRITA - MALISHEVA

Foto: Drita FC / FB
Përmbysje për fitore, Drita mposhtë Malishevën
23 April, 2022 @16:04
Me përmbysje ka arritur ta fitojë takimin ndaj Malishevës sot skuadra e Dritës.
Gjilanasit kundërshtarin e sotëm e mposhtën me rezultatin përfundimtar 3-1 (Almir Ajzeraj 60’, Hamdi Namani 76’, Ardit Tahiri 90+7’ / Hasan Hyseni 48’).
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me luftë të fortë në mesfushë, por nuk prodhoi gola, e më pas më interesante ishte pjesa e dytë.
Në minutën e 48’, i asistuar nga Yoan Marc Olivier, mitrovicasi Hasan Hyseni shënoi për 0-1 të Malishevës.
Skuadra nga Kosova Qendrore këtë epërsi e ruajti deri në minutën e 60’, kur Almir Ajzeraj realizoi për 1-1. E Drita nuk u ndal me kaq.
Gjilanasit arritën t’i gjenin edhe golat e fitores në pjesën e mbetur të ndeshjes. Rreth 15 minuta më vonë, për 2-1 Hamdi Namani shënoi pas asistimit nga Almir Kryeziu, e krejt në fund për 3-1 shënoi Ardit Tahiri (90+7’) dhe ndeshja u mbyll me këtë rezultat.
Fitorja e sotme bën që Drita t’i afrohet pak Ballkanit, me këtë të fundit që lëshoi pikë ndaj Ulpianës sot, kurse Malisheva për momentin është e gjashta në renditjen e Superligës.