RIVALI

Përzgjedhësi i Suedisë flet për ndeshjen me Kosovën
16 March, 2021 @17:25
Përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, sot mbajti konferencë për shtyp, ku publikoi listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet e muajit mars dhe foli për synimet e përfaqësueses suedeze në kualifikimet e kampionatit botëror.
Suedia gjendet në grupin e njëjtë me Kosovës, Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë në kualifikimet për Botërorin Katar 2022.
Ndeshjen hapëse suedezët do ta luajë më 25 mars kundër Gjeorgjisë, ndërsa tri ditë më vonë, më 28 mars do të zbarkojë në “Fadil Vokrri” për t’u përballur me përfaqësuesen e Kosovës.
Në konferencën e tij, përzgjedhësi Andersson e vlerësoi lartë Kosovën, duke kujtuar edhe ndeshjen miqësore të vitit 2020 ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, që kishte përfunduar me rezultat 1-0 në të mirë të suedezëve.
“Edhe Kosova edhe Gjeorgjia kanë shumë lojtarë të mirë dhe të aftë teknikisht. Ne u takuam me Kosovën gjatë janarit në vitin 2020 dhe e dijmë që është një ekip i aftë edhe pse nuk ishte me ekipin më të mirë të mundshëm në atë kohë. Si zakonisht, duhet të jemi të kujdesshëm në përgatitjet tona dhe të bëjmë paraqitje të mira për të pasur një fillim që e duam në kualifikime,” tha Andersson.
Temë kryesore në këtë konferencë ishte edhe rikthimi i yllit Zlatan Ibrahimovic në përfaqësuese pas 5 viteve, i cili do të jetë një ndër armët kryesore të Suedisë edhe në ndeshjen kundër Kosovës që do të luhet në “Fadil Vokrri”.