LIGA B e KOMBEVE: ISLANDA - SHQIPËRIA
Pika e parë në tokën islandeze për Shqipërinë
6 June, 2022 @22:49
Përkundër se do të mund të merrnin fitore, me një gabim trashanik në mbrojtje, Shqipëria është dashur të pajtohet me barazim dhe pikën e parë të fituar në histori në ishullin e largët, Islandë.
Islanda ka barazuar në fillim të pjesës së dytë, për t’ia mohuar Shqipërisë fitoren, për përfundimtaren 1-1 [Thorsteinsson 49 - Seferi 30], derisa ekipet ndanë pikët në përballjen e dytë të grupit për vendasit dhe të parën për kuqezinjtë, që tri ditë më vonë presin Izraelin në Tiranë.
Një start tepër i mirë i ekipit të Edy Rejas me përkrahje masive nga rreth njëqind Tifozë Kuq e Zi në Rejkjavik u kurorëzua me gol nga Taulant Seferi pas një depërtimi nga i palodhshmi Ivan Balliu sot, që shutoi dhe pas pritjes jo të sigurt të portierit Runarsson, Seferi shtyu topin në rrjetë nga afërsia.
Ky ka qenë goli i parë për sulmuesin e Tiranës për kombëtaren kuqezi, që startoi sot në mungesë së dyshes primare të sulmit, Armando Broja dhe Myrto Uzuni.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE
Islanda rimori kontrollin e ndeshjes kah fundi i pjesës së parë, por Etrit Berisha ka treguar pritje kualitative.
E në fillim të pjesës së dytë një c’orientim në mbrojtje ku pas pasigurisë së Berat Gjimshitit, Marash Kumbulla “pasoi” te Jon Thorsteinsson, e ky nga afërsia nuk e kishte vështirë t’a mposhtë Berishën për barazim.
Më pas, nisën ndërrimet nga trajnerët ku Arnar Vidarsson nisi me dy të rinj prej minutës së 62, kurse Edy Reja reagoi me tri ndërrime në 73, kur solli në lojë Kristjan Asllanin, Bekim Balajn dhe Giacomo Vrionin. Vidarsson futi në lojë edhe dy lojtarë në të 74-tën, ndërsa Reja edhe dy të tjerë pas pak duke insistuar me Ylber Ramadanin dhe Fred Veselin.
Kah fundi Islanda u duk më e rrezikshme, ndërsa Shqipëria vërejti mungesën e topit përfundimtar që nuk gjente sulmuesit, qoftë me krosime, qoftë me pasime për të bërë një rrezikim më të madh për të arritur te fitorja.
Në fund 1-1, Islanda bëhet me 2 pikë me 2 barazime nga 2 ndeshje, derisa Shqipëria e nis kampanjën në Ligën B të Kombeve me 1 pikë, por historike kjo, pasi që asnjëherë më parë kuqezinjtë nuk kishin marrë pikë në Islandën e ftohtë.
Misioni i radhës, fitorja ndaj Izraelit në shtëpi, për tu përgatitur pastaj ndaj Estonisë në miqësore, derisa vendimtaret luhen në shtator, kur më 24 shtator kuqezinjtë udhëtojnë në Izrael dhe tri ditë më vonë presin Islandën.
Kujtojomë, Islanda ka qenë pjesë e Ligës A të Kombeve në edicionin e kaluar, duke rënë në Ligën B si e fundit në grupin e saj, kurse Shqipëria ka qenë pjesë e Ligës C të Kombeve dhe u ngrit në Ligën B duke e fituar grupin.