KUPA E KONFEDERATAVE - GRUPI A
Portugalia e Meksika ndajnë pikët
18 June, 2017 @18:53
Në debutimin e tyre në ‘Kupën e Konfederatave’, Portugalia ka barazuar me rezultat 2-2 ndaj Meksikës.
Kampioni në fuqi i Evropës epërsinë e gjeti përmes Quaresmas në minutën e 34’, lojtar ky që shënoi pas asistimit perfekt të Cristiano Ronaldos. Pak minuta para golit, Portugalia shënoi edhe një gol, por që u anulua me të drejtë nga video-sistemi i referimit për shkak të pozitës jashtë loje, sistem i cili po provohet për herë të parë në një garë zyrtare dhe sot doli të ishte vendimtar, pasi që e përmirësoi një gabim të gjyqtarit anësor në fushë, i cili e pranoi golin e parregullt të Portugalisë.
Barazimi i meksikanëve erdhi nga i zakonshmi Chicharito, i cili shënoi me kokë dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.
Në pjesën e dytë, Meksika startoi me presion të lartë, mirëpo të parët në epërsi përsëri kaluan portugezët përmes mbrojtësit Cedric. Por, kur u mendua që Portugalia do t’i merrte 3 pikë, në skenë doli Hector Moreno, i cili barazoi në 2-2 në kohën shtesë.
Kështu, Portugalia e Meksika ndajnë vendin e dytë të Grupit A me nga 1 pikë, grup i cili kryesohet nga Rusia nikoqire, që dje e mposhti Zelandën e Re.
Sa i përket ditës së sotme, ‘Kupa e Konfederatave’ mbyllet me takimin mes Kamerunit dhe Kilit, takim ky që fillon në ora 20:00.
GRUPI A
1 | Rusia | 3 pikë | ||
2 | Portugalia | 1 pikë | ||
3 | Meksika | 1 pikë | ||
4 | Zelanda e Re | 0 pikë |