Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

2019/2020

Premier League 2019/2020 - Parashikim

Premier League 2019/2020 - Parashikim


Shkruan: Luan MORINA

9 August, 2019 @12:22

200 milionë euro ka shpenzuar Pep Guardiola nga ardhja e tij për të sjellë vetëm mbrojtës të djathtë. Tani me shumë mundësi mund të shtyjë Kyle Walkerin në qendërmbrojtjen treshe për të pasur Cancelon dhe Pedro Porron nga filiali i Manchester City – Gironas, si krahë më të avancuar të djathtë.

Një tjetër prurje shumë e mençur është Angelino që erdhi nga PSV ku e kishin shitur një vit më parë. Me pak fjalë, Manchester City ka bërë pak transferime, por të mençura, aty ku i janë dashur më së shumti. Nuk di pse nuk e marrin Raphael Guerreiron nga Dortmund, figura që do t’i përshtatej mrekullueshëm lojës së Guardiolës. Edhe pa të, Manchester City do të fitojë bindshëm Premier League. Ndoshta edhe në kohë rekorde para fundit, diku kah fillimi i prillit më së voni, kur edhe presin Liverpoolin në Etihad.

E Liverpooli, pa shtuar asnjë lojtar serioz në ekip, vetëm me rikuperimin e Oxlade-Chamberlain e ndoshta përfundimisht edhe Lallanas, nuk mund të konsiderojnë veten superfuqi për të ndalë Manchester Cityn. Vitin e kaluar ishin me fat që arritën të mbahen në dy fronte deri vonë. Kësaj radhe mund të mbesin pa asnjërin nëse në janar nuk shtojnë individë në ekip. Pozita e dytë mund t’u rrezikohet këtë sezon.

Për pozitën e dytë mund të rrezikojnë dy ekipe – Arsenal dhe Tottenham. Të parët kanë bërë veprime të mençura në transferimet e verës, ngjashëm si Tottenham. Veçse Arsenal ka më shumë në numër dhe më të mençura. Dy krahë për të zgjeruar mesfushën, me një sulm dhe mesfushë të rehatuar tashmë, Arsenalit iu nevojitën edhe kontribute në mbrojtje. Tierney duhet të rehatojë krahun e majtë të mbrojtjes, gjersa pritet kontribut i madh i Chambers në mbrojtje dhe mesfushën defensive, diçka që bëri me zell tek Fulham.

Në anën tjetër të Londrës Veriore, dy mesfushor qendror dhe një krahë i majtë për të shtrënguar ekipin tashmë nënkampion të Evropës do të duhej të ruanin statusin aktual – luftë për top 4 dhe shtytje deri në pjesën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Nuk di sa do të mjafton Son për të mbuluar Kane, i cili e ka adet të pushoj dy muaj në sezon së paku për shkak të lëndimeve.

Tentimin për të thyer katërshen e parë do ta kenë Manchester United dhe Chelsea. Të kuqtë nuk vazhdojnë të mbajnë me zor Pogban, i cili përsëri do të nis teket e veta në çaste të ndryshme të sezonit. Kanë larguar të vetmin sulmues vrastar, i cili mund të zëvendësohet nga njëri prej dy tinejxherëve – Rashford dhe Greenwood. Ky i dyti është i aftë për të përfunduar rastet një-në-një. Presin edhe Rashord dhe Martial të kryejnë punën e gjysmësulmuesit, por do të jenë me gjasë një sezon si i Luis Van Gal – dhjetë barazime me vetëm tre-katër gola të shënuar. Mbrojtja e United duket të jetë në rregull me ardhjen e Maguire dhe Wan-Bissaka që pati super para-sezon. Por golat kush do t’i shënojë?

S’besoj të jetë gëzuar dikush më shumë se Chelsea për ndalesën e transferimeve. Më në fund mund të shohim të gjithë ata të huazuarit të tregojnë veten në ekipin e parë të Chelseat. Përkundër ndalesës, kanë ekip mirë të kompozuar. Krejt varet sa durim do të kenë me Lampard. Megjithatë mendoj që së paku njëri nga Lampard e Solskjaer do të përfundojë sezonin para kohe. Unë do të vendosja shanset e mija tek Solskjaer.

Top 6shi

Everton e Wolverhampton duken të vetmet që mund të rrezikojnë thyerjen e gjashtëshes së madhe. Kolonizimi portugez i ujqve ka vazhduar edhe këtë verë, dhe mbetet të shihet se si do të përshtaten Jordao e Neto, për të cilët Tare mori 27.5m për Lazion! Cutrone do të shërbej si bonus për Jimenez, gjersa Vallejo i shtohet mbrojtjes treshe të Wolves si një prurje shumë e qëlluar.

Ndërkohë Everton kanë sjellë një sulmues tipik në Kean, duke përforcuar krahët me Iwobin. Nuk kanë humbur me largimin e Gueye pasi Gbamin ka talent për të shkëlqyer menjëherë në Premier League. Do të ndihmohet nga ardhja e Delph, i cili sjell përvojën lokale.

Dy ekipet tjera që mund të shpërthejnë gjashtëshen janë Leicester City dhe West Ham. Kampionët e vitit 2016, largimin e Maguire e kanë zëvendësuar me prurjet e sezonit të kaluar, gjersa në vend të Okazakit kanë sjellë Ayoze Perez, Tielemans e Praet pritet të përforcojnë mesfushën, gjersa në largimin e Simpson, Riccardos në të djathtë do t’i ndihmojë James Justin i Luton Town.

Ndërkohë West Ham do të kenë interesimin tonë me prurjen e Albian Ajetit. Bashkë me Haller provojnë që më në fund të kenë një qendërsulmues të mirë. por, prurja më e mirë mbetet Pablo Fornais. Ndoshta edhe ‘vjedhja’ e verës, nëse arrin të përshtatet në Premier League.

Dhjetë ekipet tjera mund të zhyten shumë lehtë në luftë për mbijetesë. Newcastle United problemet e brendshme dhe pakënaqësitë ndaj pronarit ka provuar t’i mbulojë me sjelljen e Joelinton, Carroll, e Saint-Maximin. Watford ka pruar Ismaila Sarr për të siguruar krahët e sulmit, dhe Craig Dawsonin në qendërmbrojtje që ishte reparti më i dëmtuar viteve të fundit. Crystal Palace e mbyll në plus verën me ardhjet e McCarthyt dhe Camarasas si huazim i cili kthehet pas sezonit të kaluar në Cardiff. Southampton mund të jetë e fundit që i ikin betejës së pranverës për mbijetesë.

Bournemouth ka disa vite që flirton me mbijetesë dhe vazhdimisht janë të qetë në prurjet verore. Njëjtë edhe Burnley që këtë vit mund të kenë përparësinë e mos angazhimit në Evropë.

Brighton, Norwich, e Sheffield United janë të prira për të rënë nga Premier League. Në mesin e gjashtë ekipeve të rrezikuara duhet të jetë edhe Aston Villa. Kanë blerë sikur Fulham verën e kaluar, dhe më e keqja kanë mbi-paguar edhe shumëfish më shtrenjtë se vlera aktuale e lojtarëve (gjithnjë sipas TM), sidomos për Douglas Luiz e Tyrone Mings. Sigurisht që ka emra të mirë në Heaton, e Targett, por pas Fulhamit, do i marrë me rezervë ndryshimet kaq drastike.

Edhe këtë vit, lufta për thyerjen e Top4shes dhe mbijetesës do të jetë më interesante se lufta për titull. Por, një gjë më interesante pritet të jetë VAR-i.

Sa i përket VAR, Premier League nuk do të lejojë gjyqtarët të kontrollojnë vet pozicionet. Dhe nëse nuk ka ndonjë keq-gjykim ekstrem, të konsiderueshëm, për një këmbë ofsajdi, e një shtytje të lehtë, nuk do të anulohen vendimet e gjyqtarit kryesor. Pra, VAR do të jetë vetëm për raste ekstreme. Së paku kështu është premtuar! Na mbetet të shohim si do të funksionojë VAR.

Mbi të gjitha, na mbetet një super-sezon i garës ekipore më të mirë në botë për t’u shijuar në maksimum.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League