Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BOXING DAY

Premier League para festave!

Premier League para festave!


Shkruan: Luan MORINA

26 December, 2019 @10:39

6shja – Liverpool, Manchester City, Chelsea

Titulli është i Liverpoolit për të humbur. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse pësojnë ndonjë ‘tërmet’ që do të lëndonte lojtarët kryesorë. Lojtari më kryesor që duhet të jetë i shëndoshë tek Liverpool duhet të jetë Joe Gomez!

Vitin e kaluar pa dy mesfushorë dhe me një të ndryshueshme të Fabinhos e Keitas, Liverpool ia doli të arrinte ato suksese. Mesfusha është mirë e mbushur, e në sulm Origi po ka më shumë minuta, dhe gola, por të cilët kanë ardhur në lojëra të ‘dorës së dytë.’ Një mbrojtës dhe një sulmues do të sillnin një pranverë më të rehatshme.

Gomezin e përmenda si lojtar kyç pasi mund të mbulojë dy, e në ditë të zorshme edhe tri pozita ndonëse Milner mbetet zgjedhja e dytë në krahun e majtë të mbrojtjes. Me 30 ndeshje (29 pa humbjen në Carabao Cup) të zhvilluara deri tani, nuk do ta kenë të lehtë mbrojtësit të mbajnë formën e shëndetin deri në maj. Titullin Liverpoolit mund t’ia humbin vetëm ngurrimi për të sjellë lojtarë të rinj në janar.

Mungesa e lojtarëve të rinj në verë i ka shkaktuar kokëçarje Manchester Cityt. Më shumë se një mbrojtës i mirë, Manchester Cityt i është nevojitur një lider. Largimi i Kompanys dhe Yaya Toures të përjashtuar veçse nga Guardiola, nuk u mbulua nga përzgjedhja e David Silvas i cili largohet bashkë me Fernandinhon në verë. Nga gjenerata e artë, e ‘parë’ e Manchester Cityt, mbetet vetëm Sergio Aguero, i cili veçse është në hije të Gabriel Jesusit.

Lëndimi i Laporte, mosgatishmëria e Guardiolas për të angazhuar lojtarë nga akademia – Eric Garcia ka startuar vetëm në Carabao Cup dhe kundër Dinamos së Zagrebit, duke u angazhuar si zëvendësues vetëm dy herë në PL; mosbesimi që ka në aftësitë e Otamendit e Stones, kthimi i Fernandinhos në qendërmbrojtje kanë ekspozuar keq Cityn këtë pjesë të vitit.

Edhe më keq do të jetë pjesa e mbetur me paqartësinë për dedikimin e Guardiolas për një periudhë afatgjate tash pas largimit të pasardhësit të tij që pritej të merrte timonin. Pa kapiten të qartë – Sterling shihet si opsioni më i mirë; me Sanen një këmbë jashtë ekipit, eksperimenteve me formacion, dhe mbi të gjitha rrugën e vështirë në Champions League, marrja në konsideratë e Cityt si rival kryesor i Liverpoolit është e pamundur! Përsëri, nëse nuk gabon Liverpooli disa herë.

Problemi i Chelseat është shumë i ngjashëm me atë të Manchester United. Por, dallimi është që Chelsea ka lojtarë të talentuar, për dallim prej të kuqeve!

Papërvoja e Frank Lampard në menaxhimin e një ekipi të madh është vërejtur në përballjet me ekipet më inferiore, ndaj të cilave kanë humbur pabesueshëm. Kundër Bournemouth mungonte vetëm goli, kundër West Ham e Everton, e mbi të gjitha Manchester United në fillim të kampionatit, përqendrimi. Seria e dobët hapi luftën për pozitën e katërt, e cila mbetet caku kryesor për blutë këtë sezon.

Hapja e tregut në janar nuk do të duhet të sillte shumë emra në ekip sa të largonte. Pedro, Giroud, e Marcos Alonso.

Chelsea do të vuajë edhe me prurje të reja për shkak të papjekurisë së Lampardit dhe lojtarëve që shumicën e karrierës e kanë kaluar në ekipe të dorës së dytë, ngjashëm si Lampardi si trajner. Kjo do të kurohet me kalimin e kohës, e s’do të ndihmohet as me prurjen e lojtarëve, ndonëse dikush me përvojë mund të ishte zgjidhje e mirë.

Prishësit e rendit – Leicester City, Sheffield United, Wolves

Me së paku pesë ndeshje më shumë se secili ekip anglez pjesëmarrës në Evropë (pos Liverpool) dhe 10 ndeshje më shumë se ekipet tjera në Premier League, Wolves nuk do të duhej të ishin kaq mirë sa janë tani!

Por, drejtuesit e ujqërve duhet të kenë pritur këtë gjë, me tërë ardhjet këtë verë, të cilat megjithatë mund të mos jenë të mjaftueshme – Cutrone flitet se po kthehet në Itali, Meritani ka luajtur vetëm 16 minuta, e Jesus Vallejo nuk gjen hapësirë, as me Bolyn e lënduar.

Lëndimi i Bolyt ka përzier formacionin e Nuno Espirito Santo, i cili ka vuajtur kundër ekipeve që kanë luajtur 4-4-2(1-1) klasik, duke e pasur të vështirë të shfrytëzojë lidhjen e krahëve mbrojtje-sulm. Derisa Jonny është larg formës së vitit të kaluar, Doherty në anën tjetër ka gjetur portën më shumë se Cutrone, ani pse në ndeshje të dorës së dytë si dhe në EL. Forma e shkëlqyeshme e Jotas dhe Traores në krahë ka ndihmuar hapjen e Moutinhos, i cili ka pasur një rol më kreativ se Neves këtë verë. Por, caku ende mbetet Raul Jimenez, ndër realizuesit më të mirë në ligë, ndonëse Leander Dendocker po duket të jetë lojtari më i vyeshëm duke u zhvendosur në disa pozita në fushë varësisht nga nevoja.

Për momentin gjërat po shkojnë mirë, por me së paku 55 ndeshje deri në maj, ujqërit mund të lodhen atëherë, ndonëse më e rënda po vjen tash në ditët e fundit të dhjetorit.

Të jemi të sinqertë, askush nuk e ka pritur Sheffield Unitedin në këtë pozitë. As vet ata. Stabiliteti në formacion, duke mos ndryshuar gati aspak ekipin nga viti i kaluar, kanë ndihmuar Chris Wilder të bëjë njërën nga befasitë më të këndshme të këtij sezoni. Sigurisht që 30 milionët e investuar në sulm për McBurnie edhe Mousset janë kthyer goxha mirë me 8 gola deri më tashti. Në fakt francezi ka shënuar ndaj Manchester United, Arsenal, e Everton; dhe pesë gola më shumë se Dominic Solanke (0 gola), të cilin Bournemouth e bleu dyfish për ta zëvendësuar Mousset.

Pjesa tjetër e ekipit është duke funksionuar mirë, sidomos krahët e mbrojtjes, dhe në mos ndonjë mësysh, Sheffield United mund të kalojnë një sezon të rehatshëm në Premier League. Megjithatë, duhet të punojnë në rinovimin e disa lojtarëve kryesorë për sezonin e ardhshëm.

Brendan Rodgers nuk ka pasur ekip në Liverpool. E mbi të gjitha, nuk ka qenë i denjë për Liverpool. Thjesht, ka qenë në pozitë të gabuar në kohë të gabuar. Tek Leicesteri ka bërë atë që e kishte bërë Ranieri – një ekip të rregullt, me qendërmbrojtësit më të mirë në ligë, dy krahë të shkëlqyeshëm në Perreiran tashmë të adaptuar, e Chilwellin të pjekur. Ndidi është kthyer në një Kante, Maddison është më në formë se Mahrezi tashti, e Vardy ka gjetur veten. Figura që i ka dhënë jetë kësaj ekipe del të jetë Youri Tielemans. Njëjtë sikur bashkëkombësi i tij tek Wolves, Tielemans kanë çelur kanalet e frymëmarrjes të këtij ekipi i cili po luan një futboll të ëmbël për sy. Edhe transferimi i Ayoze Perez i ka ndihmuar goxha shumë çlirimit të Vardyt në sulm.

Titulli është mision i pamundur, por Liga e Kampionëve duhet të jetë punë e kryer në rast se nuk ndodh ndonjë fatkeqësi.

Të përjashtuarit e 6shes – Tottenham, Manchester United, Arsenal

Tottenham u ngopën me Pochettinon, njëjtë sikur Pochettino me ta. Janë disa momente kur arrihet fundi, dhe kjo kishte ndodhur qysh në maj të këtij viti. Ishte çështje kohe kur do të largohej njëri ndër trajnerët më efikas në krijimin e një ekipi pa shumë shpenzime. Poch i dha fytyrë Tottenhamit të ri, dhe ishte koha për t’u larguar. Shpesh hedh trajektore të Poch me Kloppin në sezonin e fundit në Borussia Dortmund.

Mourinho është ai lloj i strategut që mund të dërgojë një ekip në stadin final. Kjo mund të ndodh vetëm në sezonin tjetër, edhe atë nëse ka përkrahje në përzgjedhjen e lojtarëve.

Tek lojtarët, Dele ka gjetur veten pas dy vitesh mungesë, ngjashëm edhe mbrojtja duket më stabile, por Gazzaniga në gol ka qenë horrori më i keq i këtij sezoni në Premier League pas Robertos së West Ham. Dier e Winks kanë kaluar kohë të këqija, Wanyama nuk është në formë, e N’Dombele erdhi para kohe në Premier League. Pa freski në formacion tashmë dy vite, Spurs kanë nevojë për frymë të re, e mbi të gjitha Kane ka nevojë për një zëvendësues, qoftë ai Vedatinjo!

Në kohën e Mourinhos, Manchester United së paku kishte identitet fituesi. Me largimin e tij, kemi Solskjaerin i cili për të mbuluar frikën dhe dështimin eventual, do të angazhojë edhe U16shat vetëm e vetëm që të japë një pamje se po punohet me akademinë.

Gjendja në të cilën është Manchester United është e turpshme, dhe nuk duket se do të përmirësohet. Ed Woodward s’do të largohet sa të jenë Glazerët aty pasi ishte personi përgjegjës dhe i besuar i Glazerëve, i cili u mundësoi edhe blerjen e këtij ekipi, që u ka borxh familjes në fjalë, xhepat e të cilëve mbushen, fituan apo jo trofe ekipi në fushë!

Fitorja ndaj Chelseat ka qenë atribut i Azpilicuetas dhe ndeshjes së tij më të dobët në histori ndoshta! Fitorja ndaj Manchester Cityt e Tottenham ka ardhur falë Solskjaerit dhe qasjes së tij inferiore. MUFC luan mirë e fiton kundër ekipeve më të mëdha pasi bie në pozitën e ekipit inferior, më të dobët, i cili mbrohet, nuk mban topin, dhe shfrytëzon kundërsulmet për të shënuar. Sigurisht që në letër duken rezultate të mira, por pastaj shfaqet Troy Deeney apo Joshua King dhe…

Aaron Wan Bissaka ka zero asistime; Harry Maguire nuk i ka ndihmuar De Geas të mos pësojë gol në Premier League që nga 14 shtatori; Paul Pogba ka vendosur të bëj qejfe deri kur ta shesin; e së paku Daniel James po duket të jetë një prurje e mirë. Pas tij, Mason Greenwood. Pjesa tjetër e ‘talenteve’ janë vetëm halucinacion, njëjtë sikur kjo e ardhme e ‘ndritur’ e Manchester United. Dhe krejt kjo ndodh derisa Mauricio Pochettino është trajner i lirë!

Më keq se Manchester United nuk është as Arsenali. Në Artetën mund të kenë gjetur trajnerin e të ardhmes, por mos të harrojmë që asistentët e Guardiolas nuk është që kanë shkëlqyer ashtu në ekipet tjera. Sigurisht që nuk kanë pasur miliardat për të investuar, e as gjeneratën e artë të Barcelonës. Kualiteti i lojtarëve që do të ketë Arteta në dispozicion me ata që kishte në City dallon sikur dita me natën. Hiç sulmin, dhe ndoshta Martinelli e Pepe, të cilët nuk kanë pasur kohë të dëshmohen, pjesa tjetër e Arsenalit është e denjë për të qenë e përfshirë në ekipe që luftojnë për mbijetesë.

Nëse shkojnë me stilin e Emeryt, Arteta mund të ketë dy afate kalimtare të mira, dhe të shkarkohet në pranverën e vitit 2021 më së voni. Durimi dhe një strategji e mençur në transferime, diçka që përsëri e kanë më mirë se Manchester United, është vitale si për Artetan ashtu edhe për cilindo trajner që do ta zëvendësonte. Njëjtë sikur Manchester United, edhe Arsenali trungun e lojtarëve e ka të kalbur për të konkurruar në Top 6. Si rezultat janë në këtë pozitë sot!

Ekipet e mesit – Burnley, Newcastle, Crystal Palace

Që të tria këto ekipe, nëse nuk pësojnë ndonjë rënie drastike forme, apo ndonjë lëndim të lojtarëve kyç, duhet të jenë të sigurta në mesin e renditjes.

Burnley i Sean Dyche është ekipi më ‘normal’ në Premier League – kanë humbur nga ekipet më të mira se ta, kanë mposhtur ekipet më të këqija se ta. Stabiliteti vjen edhe në ekip. Dyche ka idenë e qartë se kush kur luan, nisur nga dyshja e pazëvendësueshme e mbrojtjes e cila nuk çahet as nga Ben Gibson tashmë 18 muaj.

Lëndimi i Gudmundsson nuk i ka dëmtuar, e për t’u çuditur ndoshta është mungesa e vazhdueshme e Drinkwater. Ndër gjërat më pozitive është forma e mirë e McNeill, i cili ka qenë vital në pasimet e tija tek dyshja e sulmuesve, Ashley Barnes e Chris Wood. Të dy kanë pasur formë të mirë, me Barnes në fillim të sezonit, pasuar me Wood, i cili u shfaq në kohën kur anglezi nisi të mos gjejë golin. Për t’u brengosur mund të jetë një shterpësi tjetër e cilitdo, pasi Vydra nuk ka gjetur golin ende, ani pse ka një asistim në kampionat ku nuk ka nisur asnjë ndeshje.

Roy Hodgson është ndër ata trajnerë të cilët nuk shfrytëzojnë të tria zëvendësimet në 90% të ndeshjeve. Dhe kjo dukej se ka nisur t’i hakmerrej në fillim të këtij muaji me dy barazime kundër Watford e Brighton.

Vetëm një humbje nga inkuadrimi i Martin Kellyt në vend të Cahill, bashkë me Tomkinsin në mbrojtje, gjersa të padëshiruarit e Liverpoolit nuk po kontribuojnë as në mbrojtje – Sakho; as në sulm – Benteke. Janë një ekip që vazhdojnë të mo shënojnë, por as të pranojnë gola. Vetëm Tottenham ju kanë dhenë më shumë se dy gola, gjersa gjashtë javët që nisën pas kombëtareve të tetorit ishin të kobshme me katër humbje në pesë ndeshjet kundër Liverpool, Chelsea, Leicester, e Manchester City. Sikur këto katra, vetëm Arsenal u shënoi dy gola, të cilëve edhe ju shënuan dy herë për 2-2.

Fakti më bizar për Crystal Palace është Max Meyer, i cili është mesfushori më së paku i aktivizuar pas Camarasas së huazuar nga Betisi. Zaha, Schlupp, e Van Aanholt mbeten rreziku kryesor i tyre. Mbetja në PL nuk duhet të vihet në dyshim nëse kalojnë lehtë hallakamën e fundvitit.

Pa Matt Ritchie e Jamal Lascelles të lënduar, me tërë tollovinë rreth pronarit, Steve Bruce po bën mrekullia me Newcastle. Pos perfeksionimit të ngjitjes së ekipeve në Premier League, deri tani Bruce po dëshmon se mund të mbajë gjallë një ekip që sigurisht duhet të jetë më lart.

Që nga nëntori, Newcaste kanë gjetur veten pas pjesës së parë të vjeshtës që sillte rezultate të ndryshueshme – fitore ndaj United e Spurs, humbje nga Norwich. Forma e përzier vazhdon të mbretërojë, por një gjë pozitive është afrimi i janarit kur priten të kthehen nga lëndimet dy figurat kryesore. Schar e Fernandez kanë qenë të shkëlqyeshëm në krahë për Clark, gjersa edhe krahët e mbrojtjes kanë qenë të mirë, sidomos Willems, i cili edhe ka gjetur golin. Për t’u brengosur është paaftësia për të gjetur vendin e duhur për Almiron, dhe për të nxjerrë më të mirën nga Saint-Maxim e Joelinton. Të tre kanë kushtuar 86 milion euro, e këtë vjeshtë kanë shënuar vetëm tre gola e dy asistime, me 6 kartonë në total. Këndellja duhet të ndodh më herët sepse shkëlqimi i Jonjo Shelvey-it s’do të vazhdojë për gjatë!

Nga të tri këto ekipe mesi, Newcastle mund të jetë më së shumti në rrezik për shkak të pasigurisë që ka në formacion.

Të humburit – West Ham, Everton

Dy konkurrentët kryesor për Top6 e gjejnë veten në konkurrentë për Top6 e fundit. Pozita të palakmueshme për të dyja ekipet, sidomos për Everton të cilët dështuan në tërësi si ekip.

E vërtetë që Evertoni nuk ka ekip për të çarë katërshen, por nuk kishte as ide të qarta. Çfarë mund të bëjë Ancelotti është të ndalojë rrjedhën e humbjeve, dhe me dedikimin e pronarëve të bëjë ekip të denjë për të çarë Top6shen sezonin e ardhshëm.

Një gjë e tillë do të ndodhte me blerje të mençura, jo të tepricave teknologjik të Barcelonës e Manchesterëve. Duncan Ferguson pati një periudhë të mirë, por nuk do të ishte një përgjigje afatgjate. Do të mbetet në kujtesë si dikush që kishte futur e larguar dy sulmues të ndryshëm brenda dy ndeshjeve të ndryshme.

Ndërkohë tek West Ham e kemi fajtorin – Roberto.

Ky duhet të jetë një shembull i ardhjeve të shumta nga La Liga të cilat kanë dështuar për vetëm një sezon. Po të përmendi edhe ashtu do të zgjatej ky shkrim sa një libërth.
Pellegrini ka shumë hapësirë për manovrim me ekipin, e mbi të gjitha pozitive është forma e mirë që ka gjetur Fornais së fundmi, si dhe rikthimi nga lëndimi i Antonios. Vetëm edhe Haller po të gjente golin më shpesh, dhe Top10 do të ishte përsëri një vend i sigurt.

Bishti i gjilpërës - Brighton, Southampton, Aston Villa, Bournemouth

Nga të katër këto ekipe, Aston Villa duket të jenë më së miri. Kjo për numrin e lojtarëve që kanë dhe suksesin e deritashëm. Por, e shumë lehtë mund të përfundojnë sikur Fulhami, sidomos nëse Dean Smith vazhdon të eksperimentojë me shumë formacione të ndryshme, ndoshta edhe për vet faktin që të angazhojë sa më shumë nga blerjet e shumta e të shtrenjta të verës.

Grealish, Hourihane, e El Ghazi kanë vazhduar ku kishin mbetur sezonin e kaluar, derisa mbrojtja marrë parasysh krejt ndryshimet ka qenë më e stabilizuar se që mund të pritnim. Angazhim në Carabao Cup do të jetë një dozë shtesë vetëbesimi, por gjithçka varet nga timonieri i ekipit.

Southampton kanë ekip shumë më të limituar, por kanë pasur sukses më të mirë. Hassenhult duket të ketë ide të qarta, dhe transformimi i mbrojtjes nga Yoshida-Vestergaard tek Bednarek-Stephens, sidomos pas turpërimit nga Leicester, ka rregulluar këtë repart sadopak. Hojbjerg e Ward-Prowse kanë bashkëpunuar për mrekulli, por ndër befasitë më të mira të këtij sezoni është forma e mrekullueshme e Danny Ings. Nuk ka të ndalur, dhe me kthimin e Obafemit e adaptimin e Djenepos, brengat për mbijetesë mund të hiqen qafe për Southamptonin.

E njëjta s’do të mund të thuhej për Bournemouth. Me ‘vetëm’ 22 milion të investuar tek Liverpool për blerjen e Solankes, i cili ishte jashtë ekipit të parë vitin e kaluar për 22 milionekipi i Edy Howe pagoi ‘haraçin’ vjetor tek Liverpool, pa përfituar në rezultate. Megjithatë huazimi i Wilson për vetëm 2 milion euro po del të jetë i frytshëm. Në mungesë të formës së Fraser dhe me lëndimin e Brooks, tinejxheri i kampionëve të botës ka qenë vital në zbutjen e krizës së Bournemouth. Ake pritet të largohet tek Chelsea falë klauzolës që kanë blutë, duke vështirësuar edhe më shumë punët për ta. Me Brightonin i shoh si kandidatët kryesorë për të rënë nga Premier League.

E për dallim prej Bournemouth, Brighton ka pasur blerje të mira, të paguara më tepër se që duhet, por të cilat kanë kryer punë. Webster ka zënë anën e majtë, me Burn që ka shtyrë Duffyn në rezerva këtë vit. Mooy ka ofruar deri diku më shumë siguri në mesfushë, gjersa Gross nuk ka gjetur magjinë e vitit të kaluar. Edhe Trossard në krahë ka ofruar ndeshje të përziera, ndonëse ka mundur të bëjë edhe më mirë. Në sulm Maupay ka qenë efikas para portës, por dy emra që kanë impresionuar më së shumti duhet të jenë Alzate dhe Connolly. Të dy talentet kanë shpërthyer në ekipin e parë, dhe në një të ardhme të afërt mund të jenë shtylla të ekipit të Brighton, edhe nëse bien në Championship.

Të fundosurit – Norwich, Watford

Watford kanë mbaruar këtë sezon!

Është herët, por zakonisht në fund të vitit një ekip vetëm se ka mbaruar punët në Premier League, dhe kësaj radhe duket të jetë Watford! I vetmi ndryshim nga sezoni i kaluar ishte Ismaila Sarr, i cili ende nuk është adaptuar në Premier League. Dhe kur merr Danny Wellbeckun, e din që vërtetë je në pozitë të keqe.

Më shumë se një sezon i keq aktual do të thosha që ishte një sezon mrekullish ai i kaluari. Mbrojtja ka lëshuar, Capoue e Doucure janë larg formës së sezonit të kaluar, Deulofeu kurrë nuk ka qenë i mirë, Pereyra e Deeney kanë humbur magjinë. Ndoshta janari mund të këndell me anë të ardhjeve eventuale, por ka shumë vrima për të mbyllur në anijen që po fundoset.

Një anije e tillë me shumë gjasë do të jetë edhe në Norwich. Forma e Pukkit, dhe talenti i Cantwell e Buendias s’do të mjaftojnë për mbijetesë. E mira e krejt kësaj për ta është që nuk kanë investuar shumë sikur rasti i Aston Villas duke rrezikuar llogaritë për një largim eventual. Pra, largimi nga Premier League s’do të dhemb, dhe nëse asgjë do të shijojnë këtë pjesë të mbetur, duke shastrisur ndonjë ekip tjetër por Manchester Cityt. Dhe këtu është problemi – Norwich kanë dështuar kundër rivalëve direkt për mbijetesë, dhe kjo është beteja kryesore që siguron mbijetesën, jo një rezultat i mirë kundër Top6.

Sigurisht që asnjëra nuk janë të larguara nga Premier League, dhe me pak magji mund të kthehen në zonë më të favorshme. Por, sot, ditën e paketave, asnjë ekip tjetër nuk duket më afër Championship se këto dyja.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League