Manchester City shton edhe një trofe në kabinet
16 August, 2023 @23:30
Manchester City ka arritur të mposht Sevillën në finale të Superkupës evropiane ku luajnë fituesi i Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, për të siguruar edhe një trofe në kabinetin e klubit.
Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola ka luajtur finalen e parë të Superkupës dhe e ka fituar këtë që në tentimin e parë. Mirëpo, triumfi nuk ka qenë i lehtë, pasi që spanjollët shkuan në epërsi në pjesë të parë, ndërsa të kaltërit e Manchesterit u desht të barazojnë rezultatin në pjesë të dytë - për tu përcaktuar fituesi vetëm përmes penalltive.
Derisa te City shënuan të gjithë nga penalltia, ka qenë Nemanja Gudelj që dështoi të shënonte penalltinë e fundit të serisë - për të nisur gëzimi te kampioni anglez.
Pep Guardiola është bërë trajneri i parë që ka arritur të fitojë tre herë Superkupën e Evropës me tre ekipe të ndryshme (Barcelona x2, Bayern, Man City), ndërsa ekipi i tij tashmë ka fituar trofeun e katërt pas titullit kampion, Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve - të gjitha në stinorin 2022/23.
Në fund, Manchester City 1-1 Sevilla [Cole Palmer 64’ - Youseff En-Nesyri 25’], pas penalltive 5-4, ndërsa ekipi i Cityt që humbi Superkupën angleze nga Arsenali pikërisht pas penalltive, pa në këtë ndeshje fatin e rikthyer, kur pas nëntë penalltive të suksesshme nga lojtarët e të dyja ekipeve radhazi, e dhjeta - shkoi në favor të tyre me dështimin e Gudeljit.
Përndryshe, Sevilla ka humbur finalen e gjashtë të Superkupës evropiane nga shtatë të zhvilluara prej vitit 2005!