DE BIASI
Pret përgjigje nga kosovarët
1 March, 2014 @11:53
Pranimi i të drejtës së luajtjes së ndeshjeve miqësore të Kosovës nga FIFA, ka krijuar shumë dilema tek futbollistët kosovarë të cilët luajnë për përfaqësueset e tjera, e veçanërisht tek ata që luajnë për Shqipërinë.
Dy prej tyre madje që tani kanë hequr dorë nga fanella kuqezi për ta bartur atë të Kosovës.
Më 5 mars në ndeshjen Kosova - Haiti, për Kosovën do të luajnë edhe Samir Ujkani dhe Loret Sadiku, të cilët deri më tani ishin pjesë e kombëtares kuqezi.
Kjo situatë më së shumti e ka futur në telashe trajnerin italian të kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi.
Gjatë ceremonisë së djeshme të zgjedhjeve për asamble të përgjithshme të FSHF-së, De Biasi ka sqaruar këtë çështje me anë të deklaratës së tij për media.
“Prej kosovarëve po pres përgjigjen definitive,” tha italiani i cili bëri të ditur se gjatë grumbullimit të ekipit për miqësoren ndaj Maltës, do të bisedojë me secilin futbollistë nga Kosova, për të mësuar se në cilën përfaqësuese e shohin veten në të ardhmen.
Për ndryshe, prej dy futbollistëve të cilët e zgjedhën Kosovën për ndeshjen me 5 mars, Ujkani dhe Sadiku, ky i fundit ka bërë të ditur se nuk e ka refuzuar kombëtaren shqiptare dhe në ndeshjet e ardhshme do të jetë në dispozicion të De Biasit.