ALBERT BUNJAKI
Me Haitin fillon rrugëtimi për Botërorin 2018!
Intervista e Albert Bunjakit është bërë nga faqja ESPN. Përkthimi dhe përshtatja është realizuar nga Borozani.com.
28 February, 2014 @18:54
Albert Bunjaki ka dhënë një intervistë të gjërë për faqen e njohur sportive, ESPN FC. Në intervistën e tij, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës ka shpjeguar shumë gjëra vetëm pak ditë para sfidës së parë zyrtare ndërkombëtare kundër Haitit.
Duke mos e vlerësuar vetëm si një ndeshje miqësore ndeshjen kundër Haitit dhe me plot optimizëm të pranimit së shpejti të Kosovës në FIFA, Bunjaki tha: “Ky është fillimi i rrugëtimit tonë për në Kupën e Botës më 2018. Kualifikimet fillojnë në shtator 2016, që do të thotë se nuk do të kemi shumë kohë, por ky është qëllimi im dhe unë mendoj vazhdimisht për këtë. Procesi i ndërtimit tonë fillon tani. Ne kemi krijuar një skuadër dhe çdogjë do të shkojë me të”.
Bunjaki po ashtu foli edhe për lojtarët kosovarë të përfaqësueseve të tjera europiane të cilët nuk do të luajnë për Kosovën në ndeshjen kundër Haitit.
“Për momentin problemi më i madh është t’i ndalim ata. Por ne menjëherë e kemi bërë të qartë se lojtarët të cilët luajnë mirë në përfaqësueset e tjera, e që janë shumë, nuk do të largohen nga ato përfaqësuese. Është shumë e rëndësishme për zhvillimin tonë që ata të vazhdojnë të luajnë në konkurrencë ndërkombëtare. Kur Kosova do të jetë anëtare e plotë në UEFA dhe FIFA, ata do ta bëjnë zgjedhjen e duhur.”
Për listën e lojtarëve që do t’i publikojë të dielën, Bunjaki sqaroi në çka i ka dhënë më shumë rëndësi, duke mos hezituar të përmend as emrat e disa të ftuarve si Albert Bunjaku, Ardian Gashi, Anel Raskaj, Enis Alushi, Bersant Celina, Alban Bunjaku dhe Frederik Veseli.
“Faza e parë ishte për t’i gjetur lojtarë me përvojë të nivelit ndërkombëtar, të cilët tani nuk janë primarë në reprezentacionet e tyre, ndoshta edhe lojtarë të moshës 30 apo 31 vjeç. Kështu që unë do të llogarisë te Albert Bunjaku i cili ishte në Kampionatin Botëror me Zvicrën, si dhe te Ardian Gashi, i cili ka pasur disa paraqitje me Norvegjinë. Përvoja e tyre do të jetë shumë e rëndësishme.”
“Pastaj ka lojtarë që kam punuar me ta kur e kam filluar punën, siç janë Anel Raskaj dhe Enis Alushi. Ne e njohim njëri tjetrin dhe kjo është e rëndësishme. Ne nuk kemi pasur mundësi të luajmë ndonjë ndeshje në vitet e fundit dhe tani do të luajmë vetëm pas dy seancave stërvitore. Kjo është e vështirë, kështu që kemi nevojë për familjarizim”
“Në grupin e tretë janë lojtarët e rinj të cilët mendoj se mund të jenë pjesë e fushatës tonë për Kupën e Botës. Njëri është Bersant Celina, i cili vjen nga Manchester City. Të tjerët janë Alban Bunjaku, një djalosh i talentuar që ka qenë në Arsenal, dhe Frederik Veseli, i cili tani është në Ipswich Town. Natyrisht, kjo varet nga zhvillimi i tyre afatgjatë.”
Bunjaki në intervistën e tij foli edhe për yjet kosovarë si Shaqiri, Xhaka, Januzaj e Behrami, të cilët janë edhe lojtarë kyç në skuadrat e tyre ku luajnë.
“Gjëja më e rëndësishme është që ne filluam të ndërtojmë skuadrën me lojtarë që i kemi në dispozicion, të cilët edhe kanë aftësi të mira, duke u krijuar kështu një konkurrencë brenda grupit. Pas kësaj, nëse ne luajmë në kualifikime për Kupën e Botës, natyrisht që unë i dua lojtarët më të mirë për Kosovën, përfshirë këtu edhe Shaqirin, Xhakën, Behramin, Januzajn dhe të gjithë prej tyre.”
“Lojtarët duhet të vendosin vetë. Unë i dua ata në skuadër, por më e rëndësishmja është që ata ─ jo prindërit e tyre, menaxherët apo dikush tjetër ─ ta marrin vendimin e tyre. Nëse ata e bëjnë këtë, e di që do të kenë një motivim të madh për t’u bashkuar me ne.”
Në fund Bunjaki foli veçanërisht edhe për rastin e Adnan Januzajt. Mesfushori i Manchester Unitedit përfundimisht nuk do të luaj për Kosovën së paku në ndeshjen kundër Haitit, kurse me të dhe me familjen e tij kishte kërkuar të takohet edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
“Ne nuk mund ta detyrojmë atë, por do të ishte shumë simbolike nëse Adnani do të aktivizohet 15-20 minuta. Atij nuk do t’i kërkohej asgjë më shumë përveç se të bëjë këtë. Për fat të keq ai është vetëm 19 vjeç dhe ne nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare nga ai, por unë mendoj se Januzaj dhe familja e tij do të japin sinjale pozitive për t’u takuar me zyrtarët tanë”.