NGA KUVENDI I JASHTËZAKONSHËM
Prishtina falenderon Remzi Ejupin, Rrahman Haradini merr klubin
21 September, 2023 @18:14
FC Prishtina me një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit ka qartësuar “letrat” e reja të klubit dhe tash e tutje “motor” i klubit do të jetë Rrahman Haradini.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të klubit u aprovua bartja e aksioneve të Remzi Ejupi, Naim Ejupi, Fikret Maqastena dhe Sinan Vllasaliu te aksionarët, Rrahman Haradini për pjesën më të madhe, kurse pjesa tjetër e mbetur do t’i barten aksionarit, Ragip Mustafa,” ka shkruar njoftimi i FC Prishtina sot.
Remzi Ejupi ishte kryetar për dy dekada te Prishtina, ndërsa ekipi në epokën e tij fitoi 16 trofe në total, prej të cilave pesë tituj kampioni, 5 herë Kupën e Kosovës dhe gjashtë herë Superkupën e Kosovës. Gjithashtu, Prishtina në kohën e tij doli pesë herë në arenën ndërkombëtare - në garat e UEFA-së.
Eprorët e rinj të klubit e shpallën atë “President nderi” duke qenë se ai është kryetari më i suksesshëm i klubit në histori.
“Kuvendi i FC Prishtina i mbajtur sot më 21 shtator, ka vendosur për President Nderi, Remzi Ejupi. Për përkushtimin e pashembullt, sakrificën e pafund dhe pasionin e vërtetë në ndërtimin e një tradite futbolli të fuqishme në Kosovë e për frymëzimin e brezave të rinj për të ndjekur ëndrrat e tyre futbollistike, si figurë e shquar e si lider i shkëlqyeshëm sportiv. Për arritjet e tij të shkëlqyera me FC Prishtina dhe për gjurmët që do të mbesin pjesë e patjetërsueshme e klubit përgjithmonë.
Z. Remzi Ejupi është kryetari më jetëgjatë i FC Prishtina, për 20 vite kontribut në klubin më të madh në vend. Z. Remzi Ejupi është kryetari më i suksesshëm i FC Prishtina me 16 trofe të fituar: 5 tituj kampioni, 5 trofe të Kupës së Kosovës dhe 6 trofe të Superkupës. Z. Remzi Ejupi është akteri kryesor dhe më meritori që sot sporti në Kosovë dhe në veçanti futbolli, si lobuesi kryesor për miratimin e Ligjit për Sponsorizim. Z. Remzi Ejupi është më meritori që sot, FC Prishtina, si klubi i vetëm në Kosovë, gëzon pronën e saj të kompleksit sportiv, si lobuesi kryesor te ish-Qeveria Haradinaj,” ka shkruar FC Prishtina në njoftim.
Ndërkaq, nga mbledhja e sotme klubi ka veçuar këto njoftime.
“Gjithashtu aksionet e Arbnor Morinës do t’i kalojnë aksionarit Hashim Deshishku. Kurse, aksionet e Ahmet Beselicës t’i kalojnë Hashim Deshishkut dhe Rrahman Haradinit. Me përfundimin e këtij kuvendi, aksionarë të klubit mbesin, Rrahman Haradini, Ragip Mustafa, Hashim Deshishku, Hakif Gashi, Beqit Qerkezi dhe Fatos Hoxha. Në fund u zgjodh bordi i ri drejtues me kryesues, Rrahman Haradini me dy zëvendësuesit, Ragip Mustafa dhe Hashim Deshishku si dhe anëtarë të bordit, Beqir Qerkezi dhe Fatos Hoxha.
Kuvendi i klubit ka falënderuar përzemërsisht për kontributin e dhënë aksionarët të cilët kanë qenë pjesë e klubit deri tani,” është mbyllur njoftimi i bardhekaltërve.