FINALJA E KUPËS

Prishtina feston në finale
9 June, 2013 @21:40
Portieri i prishtinasve, Kushtrim Mushica, ka qenë futbollisti më meritor që ia solli Kupën Prishtinës. Ai ka arritur t’i mbrojë dy penallti të ferizajasve, ashtu që t’ia sjellë Prishtinës edhe trofeun e dytë të stinorit.
Prishtina mposhti Ferizajin në finale të Kupës pas ekzekutimit të penalltive, 4-3. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, ndërsa në vazhdime nuk u prekën rrjetat.
Trajneri i Ferizajit, Bylbyl Sokoli, i cili po e sjell këtë ekip për herë të dytë në finale të Kupës, u përjashtua për shkak të një reagimi ndaj referit të ndeshjes.
“Kur lojtarët kyq nuk marrin përgjegjësinë për t’i shutuar penalltitë, është e natyrshme humbja pas penalltive. Prishtina fitoi me fat, ndërsa referi nuk kanë qenë i përgatitur për finale,” kanë qenë fjalët e Bylbyl Sokolit pas ndeshjes, transmeton FFK-ja.
Në anën tjetër Afrim Tovërlani ka thënë se Prishtina meritoi fitoren duke dëshmuar se është ekipi më i mirë në Kosovë, si dhe thumboi ferizajasit duke thënë se, “Si duket ata mbrëmë në Emerald hotel nuk i kishin ushtruar penalltitë”.