NDESHJE ME GOLA DHE PROTESTA
Prishtina fiton, Trepça’89 në krizë
29 November, 2015 @15:16
Trepça’89 që nisi stinorin shumë mirë dhe konsiderohej si njëri ndër kandidatët kryesorë që do të rrezikojë Ferronikelin në krye të tabelës, sot ka regjistruar edhe disfatën e pestë me radhë të stinorit!
Prishtina ka shënuar fitore krejt në fund të ndeshjes, faktikisht në minutat e fundit shtesë të takimit të akorduara nga referi kryesor Besfort Kosumi, përmes golit të kapitenit Driton Krasniqi, që shënoi për 3-2, pas krosimit të Durim Gashit.
Ndeshja nisi qetë dhe me lojë kryesisht në mes, pasi që skuadrat vuanin për fitore. Prishtina nuk kishte shijuar fitoren që nga ndeshja me Istogun në kryeqytet, derisa Trepça’89 e drejtuar nga Arsim Thaçi (sot nuk ishte prezent, pasi që ka qenë pa qejf, u zëvendësuar nga Veton Çitaku), tashmë vinte me 4 disfata radhazi në kryeqytet.
Pak minuta para fundit të pjesës së parë Prishtina ishte veç në avantazh 2-0. Sulmuesi Shend Kelmendi ende s’kishte përfunduar gëzimin për 1-0, kur Durim Gashi shënoi në akcionin tjetër nga korneri për 2-0.
Ekipi mitrovicas u këndell në pjesë të dytë. Sulmuesi kryesor i skuadrës Blerand Kurtishaj shënoi pas disa xhirove për zbutje 2-1, ndërsa Shpëtim Idrizi barazoi 15 minuta para fundit të takimit nga penalltia, pasi që më parë një mbrojtës i bardhekaltërve kishte luajtur me dorë në zonë.
Më pas nisën telashet… Tifozë të vendasve hynë në fushë, që çoi në intervenim të policisë, ndërsa më pas filluan të brohorisnin edhe kundër lojtarëve.
Kjo si duket ngjalli pak shpirtin e bardhekaltërve për të cilët në fund u përkujdes ndoshta lojtari më i mirë në fushë, Driton Krasniqi, që shënoi për fitoren e shumëkërkuar si nga tifozët ashtu edhe nga trajneri Sami Sermaxhaj.
Fitorja ka lënë prapë Prishtinën në pozitë të parafundit, ku do të kalojë pushimin mes dy gjysmëstinorëve, derisa te ekipi mitrovicas ‘me siguri’ tash do të pasojnë ndërrime në shtabin teknik pas formës katastrofale në 5 xhirot e fundit.
Video