TE PRISHTINA
Prishtina me prurje që rrisin nivelin e futbollit të Kosovës
17 July, 2017 @22:35
Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, ka folur për faqen zyrtare të ekipit të tij pas disa ardhjeve dhe largimeve nga skuadra këtë verë.
Thaqi ka bërë të ditur ndër të tjera se ekipi ka pasur deri më tash prurje cilësore, por ai pret edhe më shumë, pasi që Prishtina pritet të rris nivelin e futbollit të Kosovës.
“Deri tani janë larguan disa lojtarë, si me kontrata po ashtu edhe pa kontrata. Këto nuk janë largime klasike, sepse të gjithë janë futbollistë të mirë, por me prurjet e reja cilësore në skuadër do të ishte e padenjë për shumicën nga ta të qëndrojnë në stol. Po ashtu, për futbollistët që kanë kontrata mund të huazohen dhe të mbesin ende futbollistë të Prishtinës, por të qëndrojnë në skuadër dhe mos të kenë mundësi të luajnë do të ishte stagnim i madh për ta dhe këtë nuk ua dëshiroj,” ka thënë fillimisht Thaqi.
“Po ashtu, asgjë e sigurt nuk është as me futbollistët e mbetur, sepse deri në përfundim të afatit kalimtar dhe varësisht nga përformanca e tyre në seanca stërvitore do të ketë edhe largime tjera të cilat do të zëvendësohen me futbollistë cilësor, kryesisht nga jashtë vendit. Është momenti të mendojmë për ndeshje ndërkombëtare dhe për to jemi bindur që duhen lojtarë cilësor që mund të bartin barrën në garat evropiane. Pra, te Prishtina do të ketë prurje që do të rrisin nivelin dhe cilësinë e futbollit të Kosovës,” ka shtuar ai, duke i falenderuar për kontribut, të gjithë futbollistëve që s’do të jenë më pjesë e ekipit bardhekaltër.
Prishtina këtë verë debutoi në gara europiane, duke u eliminuar që në raundin e parë kualifikues të Europa Ligës nga Norrkopingu suedez me rezultat të përgjithshëm 6-0.