LLAPI - PRISHTINA
Prishtinë fantastike, deklason Llapin në Podujevë!
9 November, 2019 @14:57
Një Prishtinë fantastike është shfaqur sot në Podujevë!
Të drejtuarit e Armend Dallkut zhvilliuan një paraqitje mbresëlënëse ndaj Llapit në “Zahir Pajaziti”, për ta mposhtur skuadrën e Batatinës me rezultat 1-4, shumë më lehtë sesa që pritej.
Endrit Krasniqi (25’) ia dha epërsinë fillestare Prishtinës duke gjuajtur me të djathtën pas një depërtimi individual, derisa me epërsi të dyfishtë në pushim mes pjesëve kryeqytetasit i dërgoi Ahmet Haliti, duke shënuar pas asistimit të Armend Thaqit në minutën e 32’ të ndeshjes.
Me të filluar pjesa e dytë, ish-lojtari i Llapit, Ahmed Januzi, ishte ai që i shënoi ish-skuadrës së tij, për ta ngritur epërsinë e Prishtinës në 0-3. Në vazhdim të ndeshjes, ishte Armend Thaqi ai që shënoi për 0-4 në minutën e 70’, për ta thelluar edhe më tepër fitoren e Prishtinës.
E tëra çfarë bëri Llapi ishte një gol i nderit përmes Kastriot Selmanit (75’), duke e mbyllur kështu ndeshjen me rezultatin përfundimtar 1-4.
Me një ndeshje më shumë të luajtur, Prishtina ka vetëm 3 pikë më pak se lideri i tabelës, kurse Llapi tashmë mbetet 6 pikë larg kreut.
Pas pushimit të kombëtareve, Prishtina në shtëpi e pret Trepçën ‘89, kurse Llapi i shkon Dritës në Gjilan.