LETRA

Adnan Januzaj (djathtë) me trofeun e Superkupës angleze, bashkë me golashënuesin e stinorit të kaluar në Premireship, Robin Van Persie
Pse “Adnan thuaj PO Shqipërisë”?
Shkruajnë: Administratorët e faqes së Facebook "Adnan thuaj Po Shqipërisë"
24 August, 2013 @0:51
Nisma “Adnan Januzaj, thuaj PO Shqipërisë” erdhi si artikulim i dëshirës së shumë tifozëve shqiptarë që duan ta shohin talentin e Manchester United, Adnan Januzaj në Kombëtaren Shqiptare.
Duke parë me dhembshuri që disa prej lojtarëve me origjinë shqiptare tashmë luajnë me Kombëtare të tjera, kemi dashur të marrim këtë nismë për të afruar 18 vjeçarin që luan në njërin nga top-klubet më të famshme ne botë, Manchester Unitedin e Anglisë.
Shqipërisë nuk i kanë munguar legjionarët deri tani, por në nivele kaq të larta nuk kemi pasur asnjë në gjithë historinë e futbollit shqiptar, andaj si e tillë ka qenë argument i mjaftueshëm që të nisim fushatën “Adnan, thuaj PO Shqipërisë”.
Sot, kur kanë kaluar një javë nga nisma , faqja ka grumbulluar rreth vetes më shumë se 30 mijë njerëz, që secili në mënyrën e vetë i bën thirrje Adnanit të vishet Kuq e Zi.
Asnjëherë nuk ka qenë qëllimi i nismës që Adnani të vihet në presion dhe as nuk jemi aq naiv sa të mendojmë se përgjigja e tij do jetë çështje orësh, nisma ka për qëllim që në momentin që Adnani të vendos të luaj edhe në ndonjë ekip kombëtar, përveç klubit të tij, të ketë parasysh edhe kërkesën e gjithë këtyre shqiptarëve që i bëjnë thirrje të vendosë të luaj për Shqipërinë.
Pra, nismës i janë bashkuar shumë njerëz dhe rëndom kur ka nisma të tilla, do dalin në pah edhe disa të tjerë që kritikojnë, e që i mirëpresim kritikat e tyre (por të jenë më vend, ama).
Nisma nuk iu duk presion edhe nuk e pengoi babain e Adnanit, për më tepër ai falenderoi secilin shqiptar për mesazhet përkrahëse dhe tha se djali i tij do të jetë i koncentruar vetëm në klub tani për tani, për çka ne e respektojmë vendimin e tyre si familje.
Ka shumë zëra që thonë se “nuk duhet t’i lutemi, nëse ndihet shqiptar ai duhet të vij”.
Nuk mendojmë se jemi “fuqi futbollistike” që kemi luksin të mos i shprehim dëshirën një lojtari shqiptar që luan në Manchester United të luaj me ne.
Te ne nuk dominon “krenaria”, por arsyeja, e bashkë me të dëshira për një Kombëtare Shqiptare të suksesshme që të gjithë do ta dëshironim.
Jo pak herë është thënë se disa nga lojtarët me origjinë shqiptare që tashmë luajnë me Kombëtare të tjera nuk kanë pasur asnjëherë ftesë (përjashto ata që kanë refuzuar), dhe të gjithë kemi akuzuar me shumë të drejtë Federatën Shqiptare të Futbollit për neglizhencë.
Sot, kur ne i kemi paraprirë “të keqes”, do të jetë presion më i madh mbi Federatën sesa mbi lojtarin që ta ftojë atë duke marrë parasysh dëshirën e shumë shqiptarëve.
Pra, nisma është një “ftesë publike” e shqiptarëve drejtuar lojtarit në fjalë. Vetëm duke qenë të bashkuar dhe pragmatik mund të arrijmë ta përfundojmë misionin me sukses.