BEQA

Pixsell
PSV llogarit te Fatosi!
7 August, 2013 @9:50
Fatos Beqiraj i cili stinorin e kaluar nuk u dëgjua shumë në Dinamo të Zagrebit, mund të përfundojë në PSV Eindhoven ka raportuar faqja sportive, voetbalnieuws.be.
Kosovari 25 vjeçar i cili dy stinorë më parë u shpallë golashënuesi më i mirë i ligës elite kroate në futboll, llogaritet të mbushë hapësirën që potencialisht do ta lënë të zbrazët Ola Toivonen dhe Tim Matavz, dyshe kjo që pret të largohet nga klubi holandez.
Beqiraj ka kontratë deri në qershor të vitit 2015 me Dinamon, ndërsa këtë stinor vështirë se do të mund të zë vend në ekipin e parë të skuadrës. Ai gjithashtu ka marrë ftesën e fundit nga trajneri i kombëtares malazeze, (ngjyrat e së cilës i mbron) Branko Brnovic, i cili ia ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk do të tregohet në këtë ndeshje - nuk do të ftohet më në përfaqësuese derisa nuk siguron gola me skuadrën, kudo që luan.
Fatos Beqiraj nuk është paraqitur me Dinamon në gara europiane dhe për këtë ai do të mund të paraqitet me PSV Eindhovenin, nëse eventualisht shkon aty. Holandezët planifikojnë ta blejnë Beqirajn për 1.2 milionë euro, shumë kjo që vështirë do të pranohet nga kampioni i Kroacisë, por mbetet të shihet deri në fund të afatit kalimtar se çka do të ndodh.
Fatosi karrierën e tij si futbollist e ka filluar te Shqiponja e Pejës, për të kaluar te Besa - prej ku në janar të vitit 2009 kaloi në Buducnost të Podgoricës. Ndërsa pesë stinorët e fundit është pjesë e skuadrës më të trofeshme kroate, Dinamo Zagreb.