SUHAREKË
Qyteti i Suharekës publikon projektin për stadium, kërkon përkrahjen e MKRS
21 September, 2023 @19:01
Kreu i qytetit të Suharekës, përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se Suhareka është gati me lokacion e projekt, për të pasur stadiumin e ri të qytetit.
Në njoftimin e publikuar nga Bali Muharremaj, kryetar, është thënë se lokacioni si parcelë kadastrale është miratuar në PZHK dhe HZK. Ndërsa vetë Muharremaj ka thënë se ne jemi gati me detyrat tona si komunë për stadiumin, duke përmendur atë që ka thënë Ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku.
“Sipas asaj që u deklarua në fundmi nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z.Çeku, se komuna duhet ta ketë projektin dhe lokacionin, siq theksuam edhe para disa ditëve ne u angazhuam seriozisht. Ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK. Poashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit - kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse. Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera,” ka shkruar njoftimi i njëshit të qytetit të Suharekës.
FC Ballkani në anën tjetër, që sonte luan në kuadër të Ligës së Konferencës, ndërsa për të dytin vit me radhë është kampion i Kosovës dhe po siguron si asnjë ekip tjetër në histori të Kosovës kalimin në fazën grupore të UEFA Ligës së Konferencës ka thënë: “Vetëm të bashkuar ecim përpara. Të lumtë kryetar, na priftë e mbara Suharekë.”
Ndër të tjera kreu i qytetit pos projektit të stadiumit ka publikuar edhe parcelën dhe dokumentet tjera përcjellëse lidhur me stadiumin që po synohet të bëhet në Suharekë.