NAZMI RAMA

Rama: Dominuam ndeshjen, rezultati nuk ishte real
7 April, 2021 @18:27
Në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës mes dy skuadrave të Ligës së Parë, Istogut dhe Dukagjinit, fitore shënoi skuadra mysafire nga Klina me rezultat 1-2.
Ky rezultat sipas trajnerit të Istogut, Nazmi Rama, ishte jo real për shkak se sipas tij, Istogu ishte ai i cili dominoi në këtë ndeshje edhe pse kushtet në lojë ishin tejet të vështira.
“Sot kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të vështira për lojë. Ne njihemi si një ekip që luajmë futboll, por sot nuk pati futboll. Mendoj që e dominuam ndeshjen, patëm më shumë raste, por prej dy gabimeve tona të thjeshta pranuam dy gola. Mendoj që nuk është rezultat real, sepse nuk e kemi merituar këtë. E kemi humbur edhe penalltinë edhe rastet. Unë edhe para loje i kam treguar lojtarëve të mi që në këtë fushë nuk fiton më i miri, por vetëm ajo skuadër që ka fat dhe bënë më pak gabime, ndërsa ne pësuam dy gola shumë naive. Mundësitë mbeten të hapura, por përparësia është jashtëzakonisht e madhe e Dukagjinit”, tha Rama për Art Sport.
Ndeshja kthyese mes Dukagjinit dhe Istogut zhvillohet pas dy jave, më 21 prill.