ZEKIRIJA RAMADANI
Ramadani: “Lufta për titull, varet nga ne”
26 March, 2017 @16:23
Pas 22 xhirove të zhvilluara në Superligë, skuadra e Trepçës ‘89 qëndron si kandidatja kryesore për ta fituar titullin e kampionit.
Ekipi mitrovicas ka shënuar 17 fitore, 3 barazim dhe 2 humbje, duke kryesuar në tabelë me 54 pikë, gjashtë më shumë se ndjekësi më i afërt, Feronikeli, derisa kanë mbetur edhe 11 xhiro deri në fund të kampionatit.
Për rezultatet pozitive të Trepçës ‘89, ka folur trajneri i kësaj skuadre, Zekirija Ramadani, i cili në një prononcim për Radio Kosovën, tha se rezultatet e arritura nga Trepça ‘89 nuk janë të rastësishme.
“Rezultatet pozitive nuk mund të jenë të rastësishme. Në fillim ka qenë një numër i vogël që ka besuar në këtë sukses. Meritë e këtyre rezultateve janë futbollistët, por edhe trajnerët, stafi mjekësor, kryesia dhe gjithë të tjerët. Por, gjithsesi që futbollistët janë akterët kryesorë të këtij rezultati dhe besoj që do të vazhdojmë me këtë ritëm,” tha Ramadani.
Më tej, ai foli edhe për kundërshtarët e tjerë që janë në luftë për titull, duke u ndalur në veçanti te Feronikeli, derisa tha se është shumë e rëndësishme që gjithçka do të varet nga rezultatet e vetë ekipit.
“Rivalë janë të gjitha ato skuadra që kanë akoma gjasa teorike për t’u bërë kampion. Siç janë duke shkuar punët, duket që Feronikeli është rivali ynë më serioz nga të gjithë të tjerët. Që të dy jemi eliminuar nga Kupa dhe tashmë kemi përkushtim maksimal në luftë për titull. Megjithatë, ne ndjehemi të qetë pasi që do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe e mira e gjithë kësaj është që gjithçka varet nga ne dhe jo nga të tjerët.”
Për fund, Ramadani bëri edhe një krahasim ndërmjet futbollit kosovar dhe atij maqedonas, pasi që trajneri vjen nga Maqedonia dhe e njeh mirë futbollin atje.
“Këtu ka cilësi. Ka edhe shumë talentë. Ndoshta më shumë se në Maqedoni. Por problem mbetet te infrastruktura dhe gjërat e tjera. Nëse çdo vit bëjmë hapa përpara për zhvillim të infrastrukturës, kualitetit të referëve, kualitetit të trajnerëve dhe gjërave të ngjashme, besoj që do të jetë më mirë. Nëse të gjitha këto përmirësohen, do të kemi edhe lojtarë dhe talentë akoma më të mirë,” përfundoi trajneri 39 vjeçar.