Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ZEKIRIJA RAMADANI

Ramadani: Nuk e pritëm që do ta gjejmë Llapin në një ditë kaq të keqe

Ramadani: Nuk e pritëm që do ta gjejmë Llapin në një ditë kaq të keqe


21 April, 2021 @17:57

Prishtina me barazimin e sotëm me rezultat 2-2 në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës përballë Llapit, u përshëndet nga kjo garë dhe tani fokusi i vetëm mbetet Superliga.

Barazimi nuk i konvenoi bardhekaltërve, pasi që ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 3-2 në të mirë të Llapit.

RAPORTI I NDESHJES

Lidhur me këtë ndeshje foli trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, i cili që në fillim të deklaratës së tij tha se nuk e ka pritur një Llap të tillë ku do të mund t’i shënonin dy gola, derisa e konfirmoi se përqëndimi i skuadrës mbetet në ndeshjen derbi të së dielës, ku Prishtina do të jetë mysafire e Dritës.

“Nuk e pritëm që do ta gjejmë Llapin në një ditë kaq të keqe, ku mund të shënojmë dy gola. Përqëndrimi ynë maksimal është në ndeshjen e së dielës. Ngarkesa fizike ishte shumë e madhe tek ne dhe duhej që t’i pushojmë shumicën e futbollistëve. Edhe Lilaj kur mbaroi pjesa e parë kishte një lëndim, që shpresoj të mos jetë shumë serioz. Gjithsesi edhe njëherë urime për ekipin sot, treguan një kualitet të madh dhe treguan që me meritë janë futbollistë të Prishtinës. Ndërsa në anën tjetër Llapit i uroj kualifikimin në finale dhe i dëshiroj suksese më tutje”, tha Ramadani për Art Sport.

Për fund, ai dha komplimente edhe për talentin e ri të Prishtinës, Ernis Topalli, i cili debutoi në këtë ndeshje.

“Sot u eliminuam, por fituam një talent të ri. Ernis Topalli është një 17 vjeçar që ka perspektivë. Ne i përcjellim gjatë gjithë kohës juniorët. Sot ishte debutimi i tij dhe atij tani shumë më shpesh mund t’i japim hapësirë sepse e meriton”, përfundoi ai.


 
Të gjitha lajmet nga Kupa e Kosovës